Padyshim që presidenti amerikan Barack Obama është në krye të listës, si lideri që ka marrë më tepër pëlqime në Facebook, ndërkohë që në vend të dytë qëndron kryeministri indian Narendra Modi. Edhe kjo nuk ishte surprizë, pasi India është shtëpia e më shumë se 1,2 miliardë njerëzve. Por, surpriza qëndronte në faktin se kush ishte në vendin e tretë. Presidenti turk Recep Tayyip Erdogan është i tretë në listë.
Këto ishin rezultatet e një studimi, të kryer nga Burson-Marsteller, një nga kompanitë më të njohura në botë në fushën e marrëdhënieve publike.
Sipas studimit të publikuar, 1,5 miliardë njerëz kanë regjistruar një profil të tyrin në Facebook, ndërkohë që 1 miliardë prej tyre janë aktivë çdo ditë. Kjo ka sjellë rritjen e rëndësisë së Facebook edhe në marrëdhëniet publike, duke bërë që liderët politikë të jenë gjithnjë e më tepër aktivë.
Burson-Marsteller thekson se 87 përqind kryetarëve të shteteve dhe kryeministrave të 193 vendeve anëtare të Kombeve të Bashkuara kanë tashmë profilet e tyre në Facebook. Studimi, që ka marrë në konsideratë 512 profile në Facebook, thekson se, gjatë vitit 2015, ato kanë marrë më shumë se 230 miljonë pëlqime. Në Evropë, i pari qëndron presidenti turl Erdogan me afërsisht 8 miljonë pëlqime, i ndjekur nga mbretëresha Elisabeta II e Mbretërisë së Bashkuar me afro 2,5 miljonë pëlqime.
Njëkohësisht, Burson-Marsteller ka studiuar edhe efektivitetin e përdorimit të Facebook nga liderët e botës. Nisur nga numri i pëlqimeve, komenteve dhe i ndarjeve me të tjerët, liderët më efektivë janë kryeministri indian dhe presidenti turk.