Anila S. është nënë e tre fëmijëve të mitur, më i vogli 2 vjeç dhe e madhja 13 vjeçe. Prej 6 muajsh ajo nuk merr më pensionin e kujdestares për vajzën paraplegjike 13-vjeçare, pa asnjë shkak konkret. Të zhytur mes mjerimit e varfërisë në këtë dimër të ftohtë, një komshi iu ka falur një sobë druri, ndërsa dikush tjetër iu ka blerë një stivë dru për të ngrohur tre fëmijët, ndërsa 2 prindërit janë të papunë. Apeli i nënës është vetëm të japin pensionin e shërbyeses për fëmijën e saj.

Anila, cili është problemi juaj?

U bënë 6 muaj që më kanë ndërprerë pensionin e kujdestarisë së vajzës, na kanë lënë pa bukë. Vajza është 13 vjeçe, siç e shikoni e sëmurë, me panolina 24 orë në ditë. Por kur doli në KEMP, mua më kanë hequr nga kujdestaria .

Pse ndodhi kjo?

Nuk e di si e vendosën mjekët këtë gjë. Më kërkojnë letra e dokumente shtesë, unë i kam çuar, ata nuk i marrin parasysh. Pensionin e vajzës e caktuan 95 mijë lekë të vjetër, me pretendimin se unë nuk duhet të kujdesem për këtë fëmijë.

Si ka funksionuar më parë?

Merrja edhe unë pensionin e kujdestarisë për vajzën, sepse ajo nuk është në gjendje as mendore dhe as fizike. Do një njeri që të kujdeset, që të rrijë pas saj. Unë nuk mund të iki dot në punë, sepse ky fëmijë i sëmurë duhet të ushqehet, të ndërrohet e të kujdeset dikush për të. Nuk mund të eci se rrëzohet, apo fut duart në korent, është  e sëmurë. Burri del kërkon punë, por nuk gjen se nuk ka punë. Kemi edhe dy fëmijë më të vegjël, që duan të ushqehen.

Çfarë po ndodh me ju si familje aktualisht?

Që kur kanë prerë edhe pensionin tim, jemi në pikë të hallit. Nuk kemi as bukë për të ngrënë, se paratë që merr kjo vajzë nuk i dalin as për panolinat e saj. Sobën e ngrohjes na e dha një komshi, ndërsa drutë na i dha një kushëriri burrit, që të mos na ngrijnë fëmijët në këtë të ftohtë.

Çarë kërkoni ju?

Kërkoj që këtë fëmijë, mjekja e cila e ka nxjerrë në KEMP, ta mbajë dy ditë në shtëpinë e saj, meqënëse e ka nxjerrë të aftë fizikisht për të lëvizur, dhe të shkojë në punë vetë. Pas dy ditësh, të flasë me mua si nënë. Nuk mund të lëviz dhe as të shkoj në punë, sepse fëmija paraplegjik do përkujdesje.

Ndihmat ekonomike-sociale në Durrës

Bashkia: Ja sa familje trajtohen me ndihmë ekonomike-sociale dhe të kategorive të tjera

Për vitin 2014, janë trajtuar me ndihmë ekonomike mesatarisht 375 familje çdo muaj dhe fondi vjetor është 19.368.360 leke.

Në muajin nëntor 2015, janë trajtuar 411 familje me një fond, nga këto 308 familje nga qyteti i Durrësit me një fond 1.372.000 lekë, ndërsa nga njësitë e tjera 103 familje me një fond 391.980 lekë.

Për vitin 2014, të verbër janë trajtuar mesatarisht 533 persona me fond vjetor 80.143.850 lekë.

Paraplegjik për vitin 2014 janë trajtuar mesatarisht 323 persona me fond vjetor 103.332.750 lekë.

Persona me aftësi të kufizuara për vitin 2014, janë trajtuar mesatarisht 2063 persona dhe fond vjetor 225.225.150 lekë.

Invalid Pune për vitin 2014, mesatarisht 3848 persona me fond 140.317.100 lekë.

Për vitin 2015, do të japim të dhënat e muajit nëntor.

Persona me aftësi të kufizuara për qytetin e Durrësit 1925 persona me fond 18.008.138 lekë

Të verbër  – 520 persona – 6.589.893 lekë

Para dhe tetraplegjikë – 305 persona- 8.445.264 lekë

Invalid Pune  – 4125 persona – 12.693.100 lekë

Të gjitha kategoritë së bashku dhe me kujdestaret trajtohen me një fond 52.857.750 lekë për muajin nëntor 2015, vetëm për qytetin e Durrësit.

Ndërsa së bashku me njësitë e tjera, për muajin nëntor 2015 janë trajtuar:

Persona me aftësi të kufizuara – 2799  persona – 26.686.398 lekë

Të verbër – 747 persona – 9.449.633 lekë

Para dhe tetraplegjikë – 476 persona – 13.022.364 lekë

Invalid Pune – 5193 persona – 16.094.900 lekë

Të gjithë së bashku me kujdestaret, në total 76.208.450 lekë. 

K.H.