Mbi 1700 objekte do të dalin në treg për privatizim gjatë vitit 2016. Drejtoria e Privatizimeve në Ministrinë e Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes ka njoftuar se janë evidentuar mbi 1700 objekte në shkallë vendi që mendohet të shkojnë drejt privatizimit. Këto janë objekte të mbetura nga ish-ndërmarrje, asete të ndryshme të këtyre ndërmarrjeve apo shoqërive publike, si: reparte ushtarake dhe objekte të tjera ushtarake, që kanë dalë jashtë funksionit të tyre.
Njëkohësisht, qeveria ka vendosur të shesë edhe paketat e veta të aksioneve në kompanitë ALBtelecom sha dhe ARMO sha. Këtu bën pjesë edhe privatimi i InSig, që mendohet të gjënerojë të paktën 15 miljonë euro. Këtë vit pritet të riaktivizohet edhe shitja e AlbPetrol sha.





