Në takimin me homologun e tij gjerman Joachim Gauck, në kuadrin e një vizite zyrtare në Berlin, presidenti grek Prokopis Pavlopoulos është përqëndruar te kriza e refugjatëve, shqetësim i të gjitha shteteve të Bashkimit Evropian, ndërkohë që ka theksuar se Greqia e sheh Gjermaninë si një vend mik dhe si një forcë që mund të kontribuojë në nje masë të madhe në mbarëvajtjen e Evropës.

Pasi ka vlerësuar kontributin e kancelares Angela Merkel, presidenti Pavlopoulos ka theksuar se kufijtë e Greqisë janë edhe kufij evropianë dhe, përveç rolit të forcave greke, e rëndësishme është edhe ndihma e partnerëve, ndërsa Turqia, nga ana e saj, ende nuk po zbaton premtimin për ndalimin e valës së emigrantëve.

“Grekët, që janë tensionuar nga kriza e refugjatëve, duhet të mbajnë një barrë të dyfishtë, pasi populli duhet të përballet edhe me sfida të veçanta për shkak të reformave që po kalon vendi. Nuk është e mundur të mbajë këtë barrë të dyfishtë, pa solidaritetin e Bashkimit Evropian,” – tha presidenti gjerman Gauck.

Presidenti grek avlopoulos ka falënderuar gjithashtu Berlinin zyrtar dhe homologun e tij gjerman në çështjen e krizës së borxhit, duke theksuar rolin e madh të Gjermanisë që Greqia të mbetej në Evropë dhe në Eurozonë. Por, në mënyrë diplomatike, i ka shprehur përsëri homologut Gauck, kërkesën e Athinës për kthimin e kredisë së pushtimit, që Gjermania i ka marrë Greqisë në Luftën e Dytë Botërore, kërkesë që do të shqyrtohet, siç ka theksuar, gjithnjë në mënyrë dypalëshe dhe sipas të drejtës ndërkombëtare.

Vlen të përmendet se para vizitës dyditore në Gjermani, presidenti grek ka kaluar nga Moska, i ftuar në një forum të Akademisë Kombëtare të Ekonomisë, para punimeve të të cilit është takuar edhe me presidentin rus Vladimir Putin.