Edhe pse ka kaluar afati kushtetues, Kuvendi i Kosovës vazhdon pushimet. Kushtetuta e Kosovës përcakton të hënën e tretë të janarit si datën e thirrjes së Kuvendit dhe të fillimit të punimeve. Por, edhe pse afati kaloi, Kryesia e Kuvendit të Kosovës ende nuk ka njoftuar mbledhjen e tij.

Sesionin e dytë, të vitit të kaluar, Kuvendi i Kosovës e mbylli me shumë probleme, për shkak të pengesave nga opozita, që kërkonte mosratifikimin e dy marrëveshjeve: demarkacioni i kufirit me Malin e Zi dhe krijimi i bashkësisë së komunave serbe.

Ndërkohë, edhe aktualisht, opozita vijon të protestojë dhe të kërkojë largimin e qeverisë dhe zgjedhje të parakohëshme. Lëvizja Vetëvendosje ka deklaruar se Kuvendi nuk mund t’i vazhdojë seancat e rregullta, përderisa nuk do të ketë reflektim dhe dorëheqje nga ana e qeverisë. Në këndvështrimin e opozitës, me nënshkrimin e dy marrëveshjeve qeveria është kthyer në qeveri anti-kushtetuese.