Kisha Orthodhokse Serbe është tronditur rëndë, teksa autoritetet kanë zbuluar se kishte qenë një prift personi që shërbente si sekser i një rrjeti prostitucioni në Beograd. Dhe nuk bëhet fjalë për prostituta rrugësh, por për këngëtare dhe artiste të njohura të skenës në Serbi, të cilave prifti u gjente klientë, të cilët ishin në gjendje të përballonin faturën e lartë të këtij shërbimi të veçantë.
Autoritetet në Serbi kishin kohë që hetonin mbi një rrjet prostitucioni të nivelit të lartë, që përfshin deri edhe figura publike. Hetimet ishin shtrirë në Beograd dhe Novi Sad, dhe gjithçka kishte nisur para disa muajsh, kur dy vajza kishin denoncuar atë që u kishte ndodhur atyre. E përditshmja serbe “Kurir” raporton sot se dy vajzat, anëtare të një grupi të njohur këngëtarësh të para disa viteve, kishin marrë statusin e dëshmitareve të mbrojtura.
Megjithatë, ndoshta askujt nuk i kishte shkuar ndërmend se në krye të gjithë rrjetit mund të ishte një prift. Por, ja që kështu doli. Hetimet dhe përgjimet zbuluan se ishte prifti ai që bënte lidhjen e artisteve me klientët. “Kurir” bën të ditur se prifti është arrestuar, por identiteti i tij nuk është bërë publik. Por, ajo që dihet është se ai mban një pozicion relativisht të lartë në hierarkinë e Kishës Orthodhokse Serbe. Në fakt, edhe identiteti i artisteve të përfshira në prostitucion nuk është bërë i ditur, ndërkohë që mësohet se bëhet fjalë për kërcimtare dhe këngëtare të zhanrit ‘turbo-folk’.
Foto është marrë nga “Kurir”