Presidenti maqedonas Gjorge Ivanov, përmes një komunikate, u ka bërë thirrje forcave politike në vend që t’i japnin fund mosmarrëveshjeve dhe të gjenin konsensusin për zhvillimin e zgjedhjeve të parakohëshme parlamentare.

“Është momenti i fundit, që Marrëveshja e Përzhinos të zbatohet pa shtyrje të mëtejshme, – thuhet në thirrjen e presidentit maqedonas Ivanov. – Palët nuk mund t’u shmangen detyrimeve që dalin nga marrëveshja, duke e vënë kështu në pikëpyetje të ardhmen evropiane të Maqedonisë.”

Në komunikatën për mediat të presidentit Ivanov thuhet se qytetarët e Maqedonisë presin nga partitë rezultate, zgjidhje të besueshme dhe dhënien fund të krizës politike.

“Qytetarët e Republikës së Maqedonisë ua dhanë besimin partive politike, jo për t’u bërë peng i interesave të tyre dhe peng i bllokadave politike, por duke pritur që partitë me vetëdije të punojnë në interes të shtetit, – thekson presidenti Ivanov. – Qytetarët e Republikës së Maqedonisë presin rezultate, zgjidhje të qëndrueshme dhe fund të kësaj krize politike.”

Në bazë të një marrëveshje të arritur mes të gjitha forcave politike vitin e kaluar, me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, më 24 prill Maqedonia duhet të mbajë zgjedhjet e parakohëshme parlamentare. Por, duke akuzuar për parregullsi në listat e zgjedhësve dhe lëshimin e kartave false të identitetit, opozita ka kërkuar shtyrjen e datës së zgjedhjeve.