Austria ka vendosur të pezullojë Marrëveshjen Schengen, duke vendosur regjimin e kontrolleve në kufi për të gjithë ata që duan të hyjnë në vend. Kancelari austriak Werner Faymann ka njoftuar vendimin e Vienës, ndërkohë që nuk ka dhënë afate se deri kur do të mbetet në fuqi pezullimi.

Kancelari austriak ka bërë të ditur se Viena ishte duke marrë të njëjtat masa si Gjermania, e cila ka rritur nivelin e kontrollit për shtetasit e vendeve jashtë Marrëveshjes Schengen. Megjithatë, Gjermania nuk e ka pezulluar Marrëveshjen Schengen.

Marrëveshja Schengen, që u nënshkrua më 14 qershor 1985 dhe hyri në fuqi më 26 mars 1995, sanksionon lëvizjen e lirë të njerëzve brenda 26 vendeve firmëtare. Më fjalë të tjera, hyrja në njërin vend firmëtar të Marrëveshjes Schengen të jep të drejtën të lëvizësh, pa u kontrolluar, edhe në 25 vendet e tjera.

Ndërkohë, Marrëveshjen Schengen e kanë pezulluar edhe Suedia, Norvegjia dhe Danimarka.

Megjithatë, pezullimi lidhet drejtpërsëdrejti me refugjatët. Kancelari austriak Faymann ka deklarur se askush nuk do të lejohej të hynte në Austri pa vizë apo pa dokumente të rregullta. Në këto kushte, Austria ka të drejtë t’u ndalojë hyrjen të gjithë refugjatëve nga Lindja e Mesme, pasi ata duhet të jenë të pajisur me vizë. Në rast se të larguarit nga vendet e Lindjes së Mesme janë të pajisur me dokumentin e lëshuar nga Agjencia e Kombeve të Bashkuara për Refugjatët, dokument ky që u jep atyre statusin e refugjatit, atëherë ata nuk kanë të drejtë të largohen nga vendi ku qëndronin më parë, tek i cili ata janë pajisur me statusin e refugjatit.

Ky vendim i Austrisë erdhi pas pamundësisë së Bashkimit Evropian për të ndaluar hyrjen masive të personave të larguar nga Lindja e Mesme. “Nëse Bashkimi Evropian nuk mund të ofrojë siguri për kufijtë e vet, atëherë vendet duhet të kontrollojnë kufijtë,” – tha kancelari austriak Faymann.