Jens Reinke, përfaqësues i përhershëm i Fondit Monetar Ndërkombëtar në vendin tonë, në një intervistë për revistën ekonomike “Monitor”, tha se lobimi për interesa të veçanta ishte ndoshta shumë i suksesshëm dhe, si rezultat, një numër i taksave dhe rregulloreve ishin ndryshuar për t’iu përshtatur një numri të vogël përfituesish.
Duke folur për një panoramë ende të zymtë ekonomike për këtë vit, Reinke tha: “Reformat e paplota të brendshme, përfshirë konslidimin fiskal që po ecën më ngadalë se parashikimi, dobësia e vazhdueshme në administrimin e taksave, normat tepër të larta të NPL [kreditë e këqija] mund ta bëjnë Shqipërinë të prekshme nga goditjet për një periudhë kohe.”
Ndërkohë, duke vlerësuar paketën e fundit fiskale dhe ndikimin e saj në ekonomi, Reinke tha: “Paketa fiskale është projektuar për të mbështetur konsolidimin fiskal, thjeshtojë taksat dhe të mbështesë rritjen. Megjithatë, lobimi për interesa të veçanta ka qenë ndoshta shumë i suksesshëm dhe, si rezultat, një numër i taksave dhe rregulloreve janë ndryshuar për t’iu përshtatur një numri të vogël të përfituesve. Kjo tenton të rrisë barrën e të tjerëve dhe të minojë konsistencën e përgjithshme të paketës. Ne nxisim qeverinë shqiptare që të vazhdojë përpjekjet e saj për të përmirësuar mbledhjen e taksave dhe shërbimet ndaj taksapaguesve.”