E pabesueshme ndoshta… por e vërtetë. Megjithatë, bëhet fjalë për një lojë, që japonezët e kanë shumë për zemër. Ekipet ndërluftuese kanë inskenuar luftërat e zhvilluara në Jugosllavi, në vitet ’90.
Fjala është për një lojën paintball, që është një lojë kryesisht strategjike, që luhet në ekipe apo individualisht, e ku kundërshtari eliminohet duke e goditur me armë, e cila qëllon me kapsula boje. Aq popullore është në Japoni, sa që ekipet inskenojnë konflikte të vërteta, të huazuara nga historia, duke i bërë ato të duken me të vërtetë të vërteta, pasi përdorin armë, uniforma, dhe pajisje të tjera të ngjashme me të formacioneve luftarake të atyre konflikteve.
Nuk dihet se kujt i kishte shkuar ndërmend, por pak kohë më parë u inskenuan konfliktet mes serbëve, kroatëve, boshnjakëve dhe shqiptarëve në Jugosllavi. Ajo që ka rënë veçanërisht në sy ka qenë edhe prania e uniformave të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Mediat japoneze raportojnë se inskenime të tilla bëhen shpesh me qëllimin për të promovuar poligonet e reja të lojës paintball, Biznesi kreativ japonez qëndron në një hap me kohën, duke përfshirë së fundmi edhe formacionet paramilitare të Shtetit Islamik.