Tirana dhe Durrësi tashmë do të jenë një dhe kjo do të arrihet falë planit të ri urbanistik, i cili do të vihet në zbatim. Këtë fakt e ka pohuar Kryebashkiaku i Durrësit Vangjush Dako. Në një intervistë për “Report Tv” Dako tha se një studio po përgatit projektin dhe në përfundim të tij do të nisë zbatimi.

“Është nisur puna dhe ka disa muaj që janë përzgjedhur studiot të cilat po punojnë për planin sektorial të Durrës-Tiranë, pra projekti i famshëm Durana. Ka nisur puna, ne presim nga dita në ditë përfundimin e punës së urbanistëve dhe të marrim planin në dorë dhe të vazhdojmë punën për ta zhvilluar. Është zona ekonomike më e rëndësishme e vendit. Është zona që pati një zhvillim kaotik ku vetëm sipërmarrja ishte ajo që me mendjen e vetë, ndërsa shteti ka qenë mbrapa në gjithë këtë proces. Sot është momenti të rikuperojmë ato që kemi, sepse shumë rerritore nuk kanë mbetur, por të rikuperojmë ato dhe të disiplinojmë ato të tjerat”.

Një ditë pas takimit të Tiranës ku u diskutua për planet e reja urbanistike të zhvillimit të bashkive pas ndarjes së re territoriale, kryebashkiaku i Durrësit Vangjush Dako sqaron zhvillimin perspektiv të bashkisë së Durrësit për 15 vitet e ardhshme.

“Ky plan bëhet në një moment të ri, në momentin e bashkisë së re falë reformës territoriale, pra do të thotë që ky plan do të shtrihet në të gjithë sipërfaqen që kap qyteti i ri i Durrësit dhe studio që ka fituar apo kompania që ka fituar dhe është përzgjedhur nga qeveria shqiptare për të hartuar këtë plan, do t’i vihen në dispozicion nga administrata e bashkisë së Durrësit të gjitha të dhënat dhe do të jepet vizioni i bashkisë për Durrësin e 15 viteve të ardhshme”.

Sipas Dakos, një studio e cila është përcaktuar nga qeveria do të përgatisë planet e reja urbanistike për bashkitë kryesore të vendit. Në këtë proces, bashkitë do të dërgojnë të dhënat për studion e ngarkuar për këtë qëllim. Sipas Dakos, vetëm 20 % e parcelave të caktuara për ndërtime do të shfrytëzohen. Në bazë të planit të ri urbanistik do të orientohen edhe projektet e shtetit apo investimet private. Pra, ky studim vendos piketa dhe i jep fund zhvillimit kaotik, sikurse ka ndodhur këto 25 vjet.

“Plani do të përcaktojë zonat e zhvillimit si atë urbanistik, urbane po dhe atë rurale. Do të mbrojë zonat e trashëgimisë kulturore, do të mbrojë pyjet, do të mbrojë tokën bujqësore do t’i japi mundësi zhvillimi dhe përparësi turizmit, por njëkohësisht edhe zhvillimeve rezidenciale. Zhvillimet rezidenciale do të jenë me normativa të reja jo me ato që kemi ndërtuar deri më sot dhe një cilësi më të lartë ndërtimi. Intensiteti do të jetë intensitet i ulët, i cili paraprakisht nuk do ta kalojë numrin 2 që do të thotë për një sipërfaqe, për një parcelë 1000m maksimumi i ndërtimit do të jetë deri në 2000m katrorë si volum. Këto rregulla, këto normativa të reja do të japin mundësi që qyteti të marrë një karakter tjetër zhvillimi, por nëpërmjet këtij planifikimi ne na jepet mundësia edhe të përfitojmë nëpërmjet komponentit të planifikimit që është komponenti i menaxhimit të tokës ne mund të jemi në gjendje të përfitojmë edhe hapësira publike, të cilat tani janë të zëna nëpërmjet mënyrës së kompensimit. Pra, janë një sërë komponentësh të cilët të gjitha së bashku përbëjnë planin vendor të zhvillimit i cili është një plan me një ambicie shumë të madhe ndoshta për momentin nuk do të ndjehet, por mbas shumë vitesh pra mbas 15-20 vitesh, frytet e këtij plani do t’i përfitojnë qytetarët e Durrësit”.

/Report Tv