Lotaria e kuponit tatimor ka ngjallur një sërë pakënaqësish tek qytetarët  të cilët u bënë pjesë e promocionit te Ministrisë së Financave. Në website-n e Lotarisë Kombëtare shpjegohet se pavarësisht shpalljes së fituesve elektronikisht zarfi me kuponët dhe vlerën e tyre do të kontrollohet edhe njëherë nga komisioni. Dhe në rastin kur një numër është përzgjedhur fitues dhe pas verifikimit të të dhënave të deklaruara në zarf rezulton se ka mos përputhje me gjendjen faktike të tij, çmimi do të anulohet.

Shpallja e 511 fituesve të Lotarisë së kuponit tatimor është përballur më një sërë kontestimesh nga qytetarët që u bënë pjesë e kësaj loje. Ngritja e një sërë pikëpyetjesh ka ardhur pasi në website-n e Lotarisë janë vënë re edhe fitues me 2 kuponë, ndërkohë që po aty është e përcaktuar se kualifikimi si pjesëmarrës në këtë lojë kërkon jo më pak se 50 kuponë tatimorë dhe me vlerë totale të të gjithë kuponëve jo më të vogël se 5,000 lekë.

Por sipas sqarimit të Ministrisë së Financave, të gjithë zarfet e fituesve tashmë do të verifikohen nga një komision i posaçëm pasi mund të ketë edhe gabime në vlerën e shkruar në zarf ose në numrin e kuponëve.

Në rastin e anulimit, për kategorinë I dhe II, fitues do të jetë korresponduesi sipas listës së renditur, i cili do të shpallet vetëm pas kryerjes së verifikimit. E njëjta gjë vlen edhe për rastin kur një numër është përzgjedhur në mënyrë rastësore fitues dhe të dhënat e deklaruara në zarf nuk përputhen me gjendjen faktike të tij, çmimi anulohet.

E organizuar për të ndërgjegjësuar bizneset të dalin nga zona gri, lotaria e kuponit tatimor krijoi vetë një zonë gri dhe të paqartë në shpalljen e fituesve, shkruan “Ora News”.