Kryeministri Kosovar Isa Mustafa, i gjendur në Pejë për një takim me strukturat e Lidhjes Demokratike të Kosovës, ka paralajmëruar se zgjedhja e presidentit të ri të vendit do të bëhet muajin e ardhshëm. “Muajin e ardhshëm do të votohet për presidentin e ri të Kosovës, – ka thënë kryeministri Mustafa, – dhe ai do të jetë Hashim Thaçi.”
Presidentja aktuale Atifete Jahjaga përfundon mandatin e saj më 6 prill dhe të paktën 30 ditë para përfundit të tij Kuvendi duhet të zgjedhë kreun e ri të shtetit. Kushtetuta e Kosovës sanksionon mënyrën e zgjedhjes së presidentit, e cila kalon në tre raunde. Në dy raundet e para fituesi duhet të marrë dy të tretat e votave të të gjithë deputetëve, ndërkohë që në raundin e tretë mjafton edhe shumica e thjeshtë e të gjithë deputetëve. Koalicioni mes Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe Partisë Demokratike të Kosovës nuk i ka dy të tretat e deputetëve, por shumicën e thjeshtë e komandon dhe zgjedhja e Thaçit nuk parashikohet të sjellë probleme.
I pyetur nëse do të kishte vota kundër Thaçit brenda Lidhjes Demokratike të Kosovës, kryeministri Mustafa ka thënë se të gjithë duhej ta respektonin marrëveshjen.