E gjithë Kosova është bashkuar sot në Reçak, për të përkujtuar 17-vjetorin e masakrës së kryer nga forcat serbe, natën e 15 janarit 1999. Presidentja Atifete Jahjaga, kryeparlamentari Kadri Veseli, kryeministri Isa Mustafa, përfaqësues të forcave politike, ambasadorë të vendeve mike të akredituara në Prishtinë, gjendeshin sot në fshatin Reçak, ku iu bashkuan dhimbjes së përkujtimit të kësaj ngjarje të rëndë të afërmve të njerëzve që humbën jetën.

45 njerëz, 44 burra dhe një grua, u masakruan në Reçak, natën e 15 janarit 1999.

Miku më i nderuar i shqiptarëve në këtë ceremoni të sotme përkujtimore ishte ish-ambasadori William Walker, që me fjalët e tij “krim kundër njerëzimit” ngriti avionët e NATO, për të larguar njëherë e mirë serbët nga Kosova.

Të gjithë të pranishmit bënë homazhe në kompleksib memorial të kësaj ngjarje, në Reçak. Ish-ambasadori Walker, duke iu referuar pak edhe gjendjes së acaruar politike që kalon Kosova aktualisht, tha: “Këto ngjarje duhet të shërbejnë që populli ridedikohet, të rizotohet për atë që ka kërkuar. Për këtë arsye, edhe presidentja Jahjaga theksoi se vetëm dialogu ishte mënyra me të cilën mund të sigurohej paqja politike në Kosovë.

16 janar 1999, ambasadori Walker: Masakër dhe krim kundër njerëzimit

Të nesërmen, më 16 janar, rreth orës 13:30 minuta, në Reçak do të shkonte edhe ambasadori William Walker, shefi i Misionit të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë, për të parë nga afër këtë ngjarje të tmerrshme.

Ambasadori Walker, pasi vizitoi fshatin, iu afrua luginës së ngushtë, ku fillimisht pa kufomat e tre burrave të moshuar. “Për nga pamja duket si ekzekutim, – deklaroi ambasadori Walker. – Duket se njerëzit, pa kurrfarë vlere për jetët e njerëzve, kanë vrarë këta njerëz, që mua me duken si bujq, si punëtorë, si fshatarë, që patjetër nuk kanë merituar të vdesin kështu.”

Më pas, teksa ai vazhdoi rrugën përgjatë luginës dhe pa gjithë kufomat e tjera të civilëve të ekezekutuar, u shpreh: “T’i shohësh kufomat kështu, me fytyra të shkatërruara, që siç duket janë bërë nga armët që janë mbajtur afër kokave të tyre, t’i shohësh 15 në një gropë dhe të ekzekutuar, mendoj se më nevojiten disa minuta para se të qartësohem se çfarë dua të them.”

Pak më vonë, gjatë konferencës për shtyp me gazetarët, ambasadori Walker do të deklaronte: “Nga ajo që pashë nuk ngurroj të përshkruaj ngjarjen si masakër dhe krim kundër njerëzimit.”

Dhe… NATO ndërhyri në Kosovë.

Kujdes! Disa nga fotografitë paraqesin pamje të viktimave të masakrës, të cilat mund edhe të ofrojnë detaje rrënqethëse.