Reagimi serb pas nominimit për Oscar të filmit kosovar.
E përditshmja serbe Kurir, e ka quajtur emërimin për Oscar të filmit kosovar ‘Shok’ si ‘Propagandë shqiptare në Hollivud’. Lajmi është publikuar pas shpalljes së nominimeve nga akademia, të enjten e 15 janarit.
Produksioni Kosovar nën drejtimin e regjisorit anglez Jamie Donoughue është pretendent në kategorinë ‘Filmi më i mirë me metrazh të shkurtër aksion’. Ngjarjet portretizojnë fëmijët gjatë periudhës së luftës në Kosovë, dhe miqësinë që arrin t’i tejkalojë të gjitha sprovat. Xhirimet janë realizuar në Mitrovicë.
‘Sipas regjisorit britanik Jamie Donoughue, filmi është xhiruar në Mitrovicën Kosovare dhe supozohet të jetë bazuar në një histori të vërtetë’, shkruan Kurir, ‘Në film luajnë aktorë kosovarë, të cilët sipas Donoughue-s: ‘e kanë përjetuar vetë luftën’’.
Drejtori i Qendrës Kinematografike të Kosovës, Arben Zharku (foto 3), ka shprehur domethënien që ka për të ky nominim: ‘Definitivisht, është një prej lajmeve më të mira që kemi pasur në fushën e kinematografisë, na ka gëzuar ne, dhe shqiptarët gjithandej’, tha ai për Klan Kosovën, “Ne kemi bërë përgatitjet për ta promovuar por sot, ka ndodhur diçka; ka pasur shumë interesim nga institucionet për të mbështetur promovimin e filmit nëpër botë’.
Sipas Zharkut, qeveria kosovare ka akorduar 60 mijë euro për ta mbështetur këtë film në nominimin e tij për Oscar.
Burimi: Kurir; Klan Kosova;