William Walker, ambasador i Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë në Kosovë gjatë viteve 1998-1999, ka deklaruar sot nga Prishtina se problemet e shumta dhe serioze më të cilat Kosova është duke u përballur nuk mund të zgjidheshin nga kjo klasë politike e tanishme. Gjatë qëndrimit të tij në Kosovë, ish-ambasadori Walker ka zhvilluar takime me Ramush Haradinajn, kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, dhe Shpend Ahmetin, kryetar i Komunës së Prishtinës, i cili vjen nga Lëvizja Vetëvendosje.
Takimet e tij me përfaqësues të forcave opozitare ishin edhe një lloj dëshmie se kujt i referohej ai me togfjalëshin “klasa politike e tanishme.”
“Unë reflektoj shumë në mendimet e shumë shqiptarëve që jetojnë në Shtetet e Bashkuara dhe pajtohem me ta se një prej problemeve më të mëdha në Kosovë është klasa politike, e cila, mendoj, nuk është duke e ndjekur një rrugë e cila do ta çonte Kosovën në drejtimin e duhur, – tha ish-ambasadori Walker pas takimit me kreun e Komunës së Prishtinës. – Mendoj që Kosova duhet t’i ndryshojë brezat të cilët udhëheqin vendin politikisht.”
Lidhur me protestat e iniciuara nga opozita, ish-ambasadori ëalker ishte kundër akteve të dhunës, por jo kundër protestave në vetvete. “Edhe në Shtetet e Bashkuara protestojmë tërë kohën, – theksoi ish-ambasadori i OSBE në Kosovë. – Nuk dua të them që jam një admirues i tyre, por nëse ato kanë një kauzë për të dalë në rrugë dhe të ngritur zërin për diçka, atëherë mendoj që janë shumë të mira.”
Ish-ambasadori Walker gjendet në Kosovë me rastin e 17-vjetorit të Masakrës së Reçakut.