Tre forcat politike të opozitës në Kosovë – Lëvizja Vetëvendosje, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma për Kosovën – janë bërë gati për zgjedhje të parakohëshme, duke njoftuar formimin e një koalicioni dhe pjesëmarrjen në zgjedhje me një liste të përbashkët kandidatësh.

Krerët e tre forvace politike, respektivisht Visar Ymeri, Ramush Haradinaj dhe Fatmir Limaj, janë takuar dhe kanë rënë parimisht dakort për të dalë sëbashku në zgjedhje. Ndërkohë, ata kanë bërë të ditur qëllimin e tyre, si opozitë e bashkuar, për të vazhduar protestat deri në largimin e qeverisë.

Opozita prej kohësh kundërshton ratifikimin në Kuvend të dy marrëevshjeve, të asaj për krijimin e një bashkësie të komunave me shumicë serbe dhe të demarkacionit të kufirit me Malin e Zi. Protesta ndaj këtyre dy marrëveshjeve është konsoliduar tashmë në formën e një opozite të bashkuar, që kërkon rrëzimin e qeverisë dhe zhvillimin e zgjedhjeve të parakohëshme.