Partia Demokratike e Kosovës i ka dhënë fund hamendësimeve, duke vendosur për Hashim Thaçin si kandidaturë të mazhorancës për postin e kreut të shtetit. Mandati i presidentes Atifete Jahjaga përfundon këtë vit dhe Kuvendi i Kosovës, në muajin qershor, duhet të zgjedhë kryetarin e ri të shtetit.
Më 4 korrik 2014, në Kosovë u zhvilluan zgjedhjet parlamentare, por asnjë forcë politike apo koalicion parazgjedhor nuk arriti të marrë shumicën absolute. Pas një periudhe të gjatë negociatash, Partia Demokratike e Kosovës, që mori 30,4 përqind të votave, arriti një marrëveshje qeverisëse me Lidhjen Demokratike të Kosovës, që kishte marrë 25,2 përqind të votave. Në themel të marrëveshjes qëndron mirëkuptimi mes palëve se LDK do të drejtonte qeverinë, ndërkohë që PDK do të propozonte kandidaturën e kryetarit të shtetit, në kohën që do të përfundonte mandati i presidentes aktuale Atifete Jahjaga.
Para pak ditësh, Isa Mustafa, kryeministër dhe kryetar i LDK, deklaroi se ai i qëndronte marrëveshjes së arritur me PDK. Ndërkohë, mbrëmë vonë, Kryesia e PDK, në një mbledhje të gjatë, i dha fund diskutimeve se cili do të ishte kandidati për kreun e ardhshëm të shtetit. Memli Krasniqi, nënkryetari i PDK, ka thënë për mediat se Thaçi pa dyshim do të ishte presidenti i ardhshëm i Kosovës. Mediat kosovare kanë publikuar sot dokumentin e miratuar nga Kryesia e PDK, ku, krahas qëndrimit për vazhdimësinë e koalicionit me LDK, njoftohet zyrtarisht edhe kandidatura e Thaçit.
Ndërkohë, Kadri Veseli, kryetari i Kuvendit të Kosovës, është figura më e mundshme për të marrë drejtimin e PDK.