Të paktën 21 persona, që udhëtonin në një autobus, mes të cilëve tifozë, disa fëmijë dhe lojtarë të një ekipi amator futbolli, humbën jetën në Meksikë. Tragjedia ndodhi në shtetin e Verakruzit, pas një aksidenti rrugor, të mjetit në të cilin ndodheshin. Sipas autoriteteve lokale, autobusi ra në një humnerë, në momentin kur po kalonte mbi një urë.
Sipas rindërtimit të ngjarjes, shkak për ngjarjen u bë një pengesë e ngritur në rrugë, për kufizimin e shpejtësisë. Mjeti po udhëtonte me shpejtësi tej normave dhe shoferi humbi kontrollin, duke bërë që autobusi të dilte nga rruga dhe të përfundonte në një lumë. Në momentin e aksidentit, në autobus po udhëtonin rreth 45 persona. Autoritetet meksikane saktësuan se nga përplasja, u plagosën 20 persona, mes të cilëve njëri në gjendje të rëndë, që më pas humbi jetën në spital.
Përveç banorëve të zonës dhe policisë lokale, në ndihmë të të aksidentuarve shkuan edhe zjarrfikësit dhe pjesëtarë të personelit për emergjencat. Ata rikuperuan trupat e viktimave dhe të plagosurit, duke i dërguar në spitalet e qytetit të Kordobas, që është mbi 200 kilometra distancë nga vendi i ngjarjes. Presidenti i Meksikës, Enrique Peña Nieto shprehu ngushëllimet e tij për familjet e viktimave të tragjedisë.