Kryeministri kosovar Isa Mustafa ka thënë se kriteret për liberalizmin e vizave me Bashkimin Evropian ishin plotësuar tërësisht dhe tani pritej vetëm përfundimi i veprimeve administrative. “Sa i përket kritereve për liberalizimin e vizave, ato janë plotësuar tërësisht,” – ka thënë kryeministri Mustafa. Megjithatë, vetë kryeministri e ka pranuar se, në të vërtetë, ka edhe një kusht, që do të plotësohet kur të nisë punë sesioni i ri kuvendor.
“Bindja ime e plotë është që në vitin 2016 qytetarët e Kosovës do të udhëtojnë pa viza,” – ka shtuar kryeministri kosovar.
Mediat kosovare raportojnë se ka më tepër se një vit që kushtet janë plotësuar, me përjashtim të konstituimit dhe garantimit të pavarësisë dhe aktivitetit të Organit Shqyrtues të Prokurimit, që funksionon si një lloj gjykate për ankimimet gjatë proçedurave të tenderimit të fondeve publike. Kosova, që në vitin 2011, ka miratuar ligjin për prokurimet publike, ligj ky konform standarteve të Bashkimit Evropian. Por, që prej atij viti, Organi Shqyrtues i Prokurimeve nuk u konstituua kurrë, duke u kthyer kështu në një kusht për liberalizimin e vizave.
Duke parë këtë pengesë, Kadri Veseli, kryetari i Kuvendit të Kosovës, i ka kërkuar qeverisë që të bëjë gati emrat për miratim. Përndryshe, Kosova mund të marrë përsëri një notë negative nga Komisioni Evropian, duke e shtyrë pa fund liberalizimin e vizave.