Qeveria e Serbisë, ndonëse me disa ditë vonesë, ka vendosur të reagojë për një fotografi të publikuar nga kryeministri Edi Rama në profilin e tij në Facebook, fotografi e cila tregonte një moment nga mbledhje e përbashkët e qeverisë shqiptare me atë kosovare vitin e kaluar, duke deklaruar se “është më mirë që të mbetet ëndërr se sa të kthehet në makth për gjithë rajonin.”

Kryeministri Rama e kishte përzgjedhur atë si një ndër momentet e rëndësishme të vitit që lamë pas, ndërkohë që Marko Djuric, drejtori i Zyrës për Kosovën dhe Metohinë në qeverinë serbe, duke folur për agjencinë serbe të lajmeve Tanjug, tha se “nuk e di se si do të reagonte Bashkimi Evropian dhe Kombet e Bashkuara nëse kryeministri serb do të publikonte në Facebook komente të tilla për vendet e tjera në Ballkan.”

Djuric ka theksuar se “rishikimi i kufijve në Ballkan nuk kontribuon në nxitjen e normalizimit të marrëdhënieve, por vetëm sa rrezikon stabilitetin delikat në rajon.” Pavarësisht se kryeministri Rama nuk e kishte shoqëruar këtë foto me ndonjë koment të veçantë, qeveria serbe padyshim që e konsideron si shprehje të një dëshire të shqiptarëve për bashkim. Për këtë qëllim, Djuric është zotuar se “Serbia nuk do të lejojë kurrë që ëndrra e Ramës dhe Hashim Thaçit të realizohet.”