Gjashtë muaj pas arratisjes nga një burg i sigurisë së lartë, autoritetet meksikane kanë vënë sërish në pranga bosin e drogës, Joaquin Guzman, i njohur me nofkën “El Chapo”.

Lajmi u bë publik nga vetë presidenti i Meksikës, Enrique Pena Nieto, i cili përmes një postimi në rrjetin social “Twitter” shkroi: “Misioni u përmbush. E kapëm!”.

“El Chapo” njihet si një prej bosëve më të fuqishëm dhe më të kërkuar në botë, pasi karteli i drejtuar prej tij në Sinaloa, trafikonte kokainë, heroinë dhe metamfetaminë drejt Shteteve të Bashkuara.

SHBA-ja kishte ofruar 5 milionë dollarë për çdo informacion që do të çonte në kapjen e tij. Guzman u arratis në mënyrë spektakolare nga burgu nëpërmjet një tuneli nëntokësor.