Sot do të mbahet protesta e paralajmëruar prej javësh nga tri partitë opozitare për anulimin e marrëveshjeve me Serbinë e Malin e Zi, si dhe për të kërkuar llogaridhënie nga ata që opozita konsideron ta kenë shkelur Kushtetutën e Kosovës.

Që të tri partitë opozitare disa herë radhazi, nëpërmjet konferencave për shtyp, prononcimeve për mediet e intervistave, kanë paralajmëruar se 9 janari shënon fillimin e një serie protestash deri në rrëzimin e qeverisë dhe shkuarjen në zgjedhje të parakohshme.

Opozita e bashkuar e ka përsëritur vazhdimisht mungesën e legjitimitetit të koalicionit qeverisës pas vendimit të Kushtetueses në lidhje me themelimin e Asociacionit të komunave serbe në Kosovë.

Marshi protestues i partive opozitare nis nga Biblioteka Kombëtare në Prishtinë duke filluar nga ora 14:00. /Kosovapress