Zgjidhja që propozon Hungaria kundër valës së emigrantëve, shumica e të cilëve janë refugjatë nga Siria, është ndërtimi i një kufiri ndalues që në Greqi. Kryeministri hungarez Victor Orban ka deklaruar se “Bashkimi Evropian duhet të ndërtojë një linjë mbrojtëse në Greqi.”

Vitin e kaluar, dhjetra mijëra refugjatë nga Siria hynë në Greqi dhe, përmes Maqedonisë dhe Serbisë, kaluan në Hungari, e më pas në Gjermani. Në atë kohë, Hungaria forcoi kufirin e vet me tela me gjemba. Pavarësisht se ky veprim i Budapestit nuk u pëlqye shumë, shtetet e tjera, si: Sllovenia dhe Austria, ndërmorën të njëjtin veprim.

Dje, Bashkimi Evropian, teksa njoftoi akordimin e një fondi prej 3,26 miliardë euro për Turqinë për menaxhimin e krizës së refugjatë, bëri të ditur se Ankaraja duhet të bëjë më tepër për parandalimin e fluksit të sirianëve. Menjëherë pas kritikave të Brukselit, Hungaria ka reaguar, duke kërkuar forcimin e kufirit që në Greqi.