Një fëmijë shqiptar 11-muajsh humb jetën pasi del nga Spitali “Maria Paterno Arezzo”, në Ragusa, të Italisë, ndërkohë që autoritetet kanë vënë mjekët nën hetim për dyshimet e ngritura si shkaktarë të kësaj fatkeqësie.
Mediat lokale italiane, në Ragusa, kanë raportuar se prindërit, emigrantë shqiptarë që prej vitesh jetonin e punonin në Itali, e kishin dërguar fëmijën në spital pas disa shqetësimeve që ai kishte shfaqur. Por, mjekët, pasi e kanë vizituar, e kanë nxjerrë atë nga spitali, duke e konsideruar gjendjen si aspak serioze. Në fakt, fëmija është përkeqësuar dhe ka ndërruar jetë sapo është risjellë në spital nga prindërit.
Mediat lokale italiane njoftojnë se sot kanë nisur hetimet, për të verifikuar proçedurat e ndjekura nga stafi i Spitalit “Maria Paterno Arezzo”. Për shkak të moshës, identiteti i fëmijës nuk është bërë i njohur.