Rusia miraton strategjinë e re të sigurisë kombëtare, duke identifikuar Shtetet e Bashkuara dhe Organizatën e Traktatit të Atlantikut të Veriut (NATO) si rreziqet e saj kryesore. Strategjia e re, e cila u dekretua nga presidenti Vladimir Putin, zëvëndësoi dokumentin e vitit 2009, ku mes rreziqeve nuk përmendeshin as Shtetet e Bashkuara dhe as NATO.
Strategjia e re, sipas vëzhguesve, reflekton përkeqësimin kohët e fundit të marrëdhënieve mes Rusisë dhe Shteteve të Bashkuara, përfshirë këtu edhe me Bashkimin Evropian, pas aneksimit të Krimesë dhe mbështetjes për separatistët në rajonet lindore të Ukrainës. Alexander Konovalov, president i Insitutit për Vlerësime Strategjike, në Moskë, në një intervistë për Zërin e Amerikës, theksoi se “dokumenti i strategjisë së re pasqyron izolimin ndërkombëtar të Rusisë.” Ndoshta kjo është edhe arsyeja se pse Alexander Golts, ekspert i pavarur ushtarak, në Moskë, thotë se “kjo strategji nuk përfaqëson mendimin e udhëheqësve të Rusisë, por është ajo që udhëheqësit rusë duan t’i tregojnë botës për pikëpamjet e tyre dhe që bota të kuptojë se kjo është mënyra se si ata mendojnë.”
Ndërkohë, reagimet e para nga Uashingtoni dhe NATO kanë hedhur poshtë pretendimet e Moskës. NATO, përmes zëdhënëses Oana Lungescu, ka njoftuar se “pretendimet se NATO dhe politikat e saj paraqesin kërcënim për Rusinë janë të pabaza.” Në të njëjtën kohë, Departamenti i Mbrojtjes i Shteteve të Bashkuara ka theksuar se Rusia “nuk ka arsye që të na konsiderojë si kërcënim.”