Ish-lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, thotë se kryeministri Isa Mustafa do të shkarkohet si Jabllanoviçi. Ndërsa në lidhje me propozimin për t’u bërë Hashim Thaçi president, Kurti përgjigjet se “kjo është një çmenduri që vështirë se do të ndodhë”.

Në një intervistë për “Kosovapress”, Kurti, i cili gjendet në arrest shtëpiak, thotë se viti 2015 ishte shumë i vështirë për qytetarët e Republikës së Kosovës, pasi u shtrenjtuan çmimet dhe nuk pati punësime ashtu siç u premtua. Kurti thotë se kishte manipulime edhe me Trepçën, e cila edhe sot e kësaj dite ka mbetur e ngujuar në veriun e Kosovës.

Në muajt e fundit të vitit 2015, opozita e përbërë prej Vetëvendosjes, AAK-së dhe Nismës, nisën kundërshtimin e një procesi tjetër që do të nënshkruhej në Bruksel, për krijimin e një Asociacioni të komunave me shumicë serbe. Për Kurtin, por edhe për dy partitë tjera opozitare, në Kosovë po krijohet një “republikë sërpska”, kundër të cilës për tre muaj rresht opozita protestoi në Kuvend e jashtë tij.

Kurti thotë se protesta të tilla do të nisin edhe në vitin 2016, pasi që Asociacioni i Komunave Serbe që për opozitën e bashkuar është “Zajednicë”, u vërtetua edhe me një aktgjykim të Gjykatës Kushtetuese. Ai vendim po i jep krah opozitës që të vazhdojë ta kundërshtojë deri në tërheqjen e nënshkrimit, ose edhe të rrëzimit të qeverisë. Deputeti i “Vetëvendosjes” shprehet i bindur se kjo opozitë e bashkuar, e cila nuk po ia mbush syrin qeverisë, do ta rrëzojë shpejt atë.