Prodhuesit e naftës mund të përjetojnë dëshpërimin më të madh në vitin 2016 nga rënia e mëtejshme e çmimeve të naftës, ka paralajmëruar shefi ekzekutiv i BP-së, njërës prej shtatë kompanive më të mëdha të gazit dhe naftës në botë.

“Pika e ulët mund të jetë në çerekun e parë”, ka thënë Bob Dudley për radion BBC.

Çmimet e naftës kanë rënë për 34 për qind në vitin 2015, si pasojë e furnizimeve të tepërta globale dhe ngadalësimit të ekonomisë së Kinës.

Dudley ka parashikuar se çmimet mund të stabilizohen në fund të vitit, por do të mbeten të ulëta në një të ardhme të parashikueshme.

“Çmimet do të vazhdojnë të mbesin të ulëta për kohë më të gjatë. Mendoj për disa vite”, ka thënë Dudley.

Çmimet kanë rënë veçanërisht nga 4 dhjetori kur Organizata e Vendeve Eksportuese të Naftës ka vendosur kundër kufizimit të prodhimit.

Kësaj i ka kontribuar edhe vendimi i Kongresit të Shteteve të Bashkuara, muajin e kaluar, për t’i dhënë fund ndalesës 40-vjeçare të eksportit të naftës së papërpunuar, që prodhohet në vend./ REL