Me sa duket problemet e shqiptarëve për të bërë shtet kanë rënë në sy që në fillim të shekullit të kaluar e po kështu kanë rënë në sy edhe tiparet e tyre si një rracë e bukur dhe e talentuar. Në një artikull të New York Times i publikuar në maj të vitit 1911 flitet për një vajzë të re e cila kishte marrë komandën e një ushtrie në betejën kundër turqve, pas vrasjes së babait të saj. Ishte Janica Martinaj, një 22 –vjeçare që NY Times e përshkruan si “Zhan D’Ark shqiptare”. I nisur nga profili i saj, NY Times sjell veçoritë e shqiptarëve, të cilët i përshkruan si mjaft të talentuar, të bukur e të fuqishëm, por që s’mund të rrokin ende idenë e shtetit.

Artikulli i plotë

Një vajzë e re, emri i së cilës përkon me emrin e Vajzës së Orleansit, tani është në këngët e kënduara nga rapsodët malazezë në hanet e kafenetë e Podgoricës. Kur, javën e kaluar, në betejën e Vraninës, babai i saj, kryetari i fisit të tij, ra në betejë, ajo zuri menjëherë vendin e tij dhe i udhëhoqi Martinajt në fitoren kundër turqve. Përtej fazës romantike të ngjarjes, për shkak se Janica Martinaj (Yanitza Martinay) është shumë e bukur, beteja është e rëndësishme, përderisa tregon se malazezët në kufi ishin bashkuar me shqiptarët.

Sipas një personi i cili njihet mirë me të, kjo Zhan d’Ark e re nuk i ka mbushur ende 22 vjeç dhe është “një grua e re, e zhvilluar mirë, e gjatë dhe e bukur”. Të gjitha gratë shqiptare janë të guximshme dhe janë të mësuara që nga vajzëria e tyre me përdorimin e armëve të zjarrit dhe në kohët e luftës, duke qenë se nuk ka mushka, ato ngarkojnë ushqimet e municionin për luftëtarët e tyre dhe shkojnë në vijën e zjarrit për shpërndarjen e tyre. Dhe a janë vrarë ndonjëherë? Po, kjo ndodh shpesh.

Janica ndoshta do të ishte duke mbartur ndonjë pushkë të Martinajve, ose, duke qenë se shumë nga të Martinajve janë mbledhur vitin e shkuar prej turqve, arma e saj ndoshta mund të ketë qenë një nga pushkët e modelit të vjetër shqiptar, të cilat janë të zbukuruara bukur me argjend dhe kanë tyta shumë të gjata e të ngushta.

Shtënia me armë është pothuajse dëfrimi i vetëm i të rinjve dhe të rejave në Shqipëri. Si djemtë edhe vajzat mësojnë për të qëlluar, kur ata janë 12 vjeç. Në dasma dhe festa e zbavitin veten duke hedhur valle e duke shtënë; në pagëzim të shtënat, janë përsëri dëfrimi kryesor – qitja ndaj shënjestrave për trofe të vogla – dhe në festime ka të shtëna gjatë gjithë ditës. Kjo është një nga vështirësitë e mëdha me të cilën turqit duhet të ndeshen, sepse ajo është pjesë e jetës kombëtare; njerëzit i përdorin pushkët e tyre ditën dhe natën flenë me to anash tyre. Ky zakon është shtuar me mbizotërimin e pasigurisë nga gjakmarrja brenda vendit dhe problemet e kufirit jashtë vendit.

Fizikisht, shqiptarët janë raca më e shkëlqyer në Europë. Gratë e tyre janë të pashme, me flokë të errët, edhe pse sytë e tyre nganjëherë janë gri. Të shohësh ato tek ecin, është një kënaqësi. Ne na pëlqeu të shihnim baletin në Serbi. Herën e parë që pashë ecjen e shqiptareve, ajo më dha të njëjtën kënaqësi. Lëvizjet e tyre janë kaq të këndshme, elegancë e forcë së bashku. Po, ata janë shumë të përsosur dhe një racë shumë e talentuar.

Ata janë si skocezët në shekullin e shtatëmbëdhjetë, dhe ata do të jenë për shumë e shumë kohë raca më e shkëlqyer në Ballkan, si intelektualisht edhe fizikisht. Nëse shkoni në Konstandinopojë do të shihni se shumë prej njerëzve më të shkëlqyer, jo vetëm ushtarë, por edhe shtetarë, janë shqiptarë. Faji i tyre, për shkak të shkallës së tyre aktuale të qytetërimit, është se ata nuk mund të rrokin idenë e shtetit. Fisi është organizimi i tyre më i lartë; ata nuk janë në gjendje të shohin rëndësinë e kombinimit të fisit me organizimin më të lartë të bërjes së një shteti. Por kjo do të ndodhë.