Policia greke ka asgjësuar një tjetër organizatë kriminale që trafikonte sasi të mëdha droge. Në pranga kanë rënë 5 shtetas shqiptarë dhe tre grekë, të moshës nga 24 deri 62 vjeç. Dy prej shtetasve shqiptarë janë vëllezër dhe sipas policisë ishin krerët e grupit kriminal.

Arrestimet u kryen në zonën e Atikës, pas hetimeve nga shërbimi antidrogë në Selanik. Investigimet kanë zgjatur për shumë muaj, bën me dije komunikata e policisë greke, sipas së cilës organizata vepronte të paktën që nga marsi i 2015-s dhe kishte një strukturë kompakte me role të përcaktuara, për sigurimin, transportin dhe shpërndarjen e drogës, raporton “abcnews”.

Gjatë kontrolleve të kryera në banesat e të arrestuarve janë sekuestruar 15,5 kg kanabis, 4 peshore precizioni, 14.350 euro dhe 800 paund, 1 pistoletë dhe dhjetëra fishekë, dy automjete dhe 14 telefona celularë.

Në një operacion tjetër, policia greke ka arrestuar një shtetas shqiptar të moshës 37 vjeç, që akuzohet për posedim dhe trafikim droge, si dhe armëmbajtje pa leje. Ai u arrestua në zonën e Pireut, ndërsa në dy banesat e tij, që sipas policisë i përdorte për të ruajtur drogën, u gjetën dhe u sekuestruan: 16,5 kg kanabis, 23.150 euro, një pistoletë me 7 fishekë.