Nga 1 janari 2016, asnjë bankë nuk do lejohet të japë më kredi nëse bilanci i subjekteve nuk është i certifikuar nga Tatimet. Në planin e masave kundër kredive me probleme, Qeveria përcakton 31 dhjetorin si afatin e fundit në të cilin bankat dhe institucionet jo bankare duhet të marrin masat për të shmangur dhënien e kredive në bazë të bilanceve të dyfishta.
Gazeta ‘Shqiptarja.com’ shkruan se bankat tregtare janë paralajmëruar që nëse nuk raportojnë subjektet me bilance të dyshimta, rrezikojnë ndjekjen penale. Sipas ligjit për parandalimin e pastrimit të parave, manipulimi i bilanceve konsiderohet krim fiskal.
Në planin e veprimit, Qeveria përcakton fundin e vitit 2016 si afatin përfundimtar për trajtimin e 35 kompanive të mëdha që janë përgjegjëse për 52% të totalit të kredive të këqija në vend.