Shqetësuese është rënia e sektorit të shërbimeve, një tregues direkt ky i tkurrjes së konsumit…

Indeksi i shifrës së afarizimit për tremujorin e tretë 2015, indikatori më i hershëm i rritjes ekonomike është ngadalësuar ndjeshëm, duke qenë afër zeros. Sipas INSTAT, ndryshimi vjetor i indeksit të shifrës së afarizmit në volum pasqyron rritje prej 0,5 % në aktivitetet ekonomike të mbuluara në anketë, krahasuar me tremujorin e tretë 2014. Ky ndryshim në të njëjtin tremujor të vitit 2014 ishte me rritje 8,1 %. Efektin kryesor rezulton se e ka dhënë industria nxjerrëse, që është tkurrur me 32.5% me bazë vjetore, si rrjedhojë e konjukturës së pafavorshme ndërkombëtarem me çmimet e naftës dhe mineraleve që kanë rënë ndjeshëm. Shqetësuese është rënia e sektorit të shërbimeve, një tregues direkt ky i tkurrjes së konsumit.

Bie ndjeshëm industria nxjerrëse

Në tremujorin e tretë 2015, ndryshimi vjetor i indeksit të shifrës së afarizmit në volum në aktivitetin “Industri” (përfshirë Industri nxjerrëse dhe përpunuese) ka rënë 4,7 % krahasuar me tremujorin e tretë 2014. Ndikimin kryesor e dha aktiviteti “Industri nxjerrëse” me një rënie prej 32,5 %.

Referuar të njëjtës periudhë krahasimore, aktiviteti “Industri përpunuese” paraqitet me rritje 8,6 % ndërsa aktiviteti “Grumbullimi, trajtimi dhe furnizimi me ujë” paraqitet me rënie 0,6 %.

Ndryshimi tremujor i indeksit të shifrës së afarizmit në volum, në aktivitetin “Industri”, paraqitet me rritje 0,2 % krahasuar me tremujorin e dytë 2015. Në këtë rritje ka ndikuar kryesisht aktiviteti “Industri përpunuese” me 1,7 %.

Aktiviteti “Industri nxjerrëse” shënoi rënie me 4,4 % ndërsa aktiviteti “Grumbullimi, trajtimi dhe furnizimi me ujë” shënoi rënie me 22 %.

Krahasuar me tremujorin e tretë 2014, ndryshimi vjetor i volumit të prodhimit industrial në “Industri” shënoi një rënie prej 2,9 %. Ndikimin kryesor e dha aktiviteti “Industri nxjerrëse” me një rënie prej 27,1 %.

Ndërsa, aktiviteti “Industri përpunuese” shënoi rritje 23 % referuar të njëjtës periudhë krahasimore.

Gjatë tremujorit të tretë 2015, ndryshimi tremujor i volumit të prodhimit industrial shënoi një rritje me 6,1 % krahasuar me tremujorin paraardhës, ku ndikimin më të madh e dha sektori “Industri përpunuese” me 9,7 %.

Referuar të njëjtës periudhë krahasimore, volumi i prodhimit në aktivitetin “Energji elektrike, gaz, avull” shënoi një rënie me 66,1 % ndërsa aktiviteti “Grumbullimi, trajtimi dhe furnizimi me ujë” shënoi një rënie me 20,2 %.

Ndërtimi rritet 10.7%

Në aktivitetin “Ndërtim”, ndryshimi vjetor i indeksit të shifrës së afarizmit në volum, në tremujorin e tretë 2015 paraqet një rritje prej 10,7 % krahasuar me tremujorin e tretë 2014. Volumi i ndërtimit paraqite një rritje prej 14,5 % krahasuar me të njejtën periudhë.

Në tremujorin e tretë 2015, ndryshimi tremujor i indeksit të shifrës së afarizmit në volum, paraqet rritje prej 3,7 % krahasuar me tremujorin e dytë 2015, ndërkaq volumi i ndërtimit është rritur me 1,9 % gjatë së njëjtës periudhë.

Indeksi i numrit të të punësuarve me pagesë në aktivitetin “Ndërtim” në tremujorin e tretë 2015 krahasuar me tremujorin e dytë 2015, shënoi një rritje prej 0,1 %, ndërsa fondi i pagave shënoi një rënie prej 0,6 %.

Tkurrja e konsumit, bien shërbimet

Në tremujorin e tretë 2015, ndryshimi vjetor i indeksit të shifrës së afarizmit në volum në ndërmarrjet që operojnë në “Shërbime” shënoi rënie me 0,4 % krahasuar me tremujorin e tretë 2014, ndikuar kryesisht nga aktiviteti “Tregti me shumicë” me 0,6 %, “Informacioni dhe komunikacioni” me 13,9 % dhe “Transport dhe magazinim” me 36,4 %.

Në tremujorin e tretë 2015 krahasuar me tremujorin e dytë 2015, ndryshimi tremujor i indeksit të shifrës së afarizmit në volum në aktivitetin “Shërbime” është rritur 8,9 %. Në këtë rritje kanë ndikuar kryesisht aktivitetet “Tregti me shumicë” me 5,7 % dhe “Transport dhe magazinim” me 17,4 %.

Tregtia me shumicë dhe Tregtia me pakicë e shumicë dhe riparimi i automjeteve dhe motoçikletave

Ndryshimi vjetor i indeksit të shifrës së afarizmit në volum në tremujorin e tretë 2015 krahasuar me tremujorin e tretë 2014, në aktivitetet “Tregti me shumicë” paraqet rënie me 0,6 % ndërsa aktiviteti “Tregti me pakicë dhe shumicë dhe riparimi i automjeteve e motoçikletave” paraqet rritje me 4,3 %.

Ndryshimi tremujor i indeksit të shifrës së afarizmit në volum, në aktivitetet “Tregti me shumicë” u paraqit me rritje me 5,7 % ndërsa në aktivitetin “Tregti me pakicë dhe shumicë dhe riparimi i automjeteve dhe motoçikletave” u paraqit me rritje 6,6 %, në tremujorin e tretë 2015 në krahasim me tremujorin dytë 2015 

Transport dhe Magazinim (përfshirë dhe aktiviteti “Postë”)

Në aktivitetin “Transport dhe magazinim”, shifra e afarizmit në volum ka shënuar rënie me 36,4 %, në tremujorin e tretë 2015 krahasuar me tremujorin e tretë 2014.

Ndryshimi tremujor i indeksit të shifrës së afarizmit në volum, në aktivitetet “Transport dhe magazinim” ka shënuar rritje 17,4 %.

Hotele

Në aktivitetin “Hotele”, ndryshimi vjetor i shifrës së afarizmit në volum, paraqet rritje me 23,9 % në tremujorin e tretë 2015 krahasuar me tremujorin e tretë 2014.

Në tremujorin e tretë 2015, në aktivitetin “Hotele”, krahasuar me tremujorin e dytë 2015, indeksi i shifrës së afarizmit në volum paraqet rritje 25,9 %.

Informacioni dhe Komunikacioni

Në aktivitetin “Informacioni dhe Komunikacioni”, indeksi i shifrës së afarizmit në volum ka një rënie prej 13,9 % në tremujorin e tretë 2015 krahasuar me tremujorin e tretë 2014.

Ndryshimi tremujor i indeksit të shifrës së afarizmit në volum në aktivitetet “Informacioni dhe Komunikacioni” paraqet rritje 25 % krahasuar me tremujorin e dytë 2015.

Aktivitete të Arkitekturës dhe Inxhinierike

Indeksi i shifrës së afarizmit në volum në “Aktivitete të Arkitekturës dhe Inxhinierike” rritet 30,6 % në tremujorin e tretë 2015 krahasuar me tremujorin e tretë 2014.

Ndryshimi tremujor i indeksit të shifrës së afarizmit në volum paraqet rritje me 6,8 % krahasuar me tremujorin paraardhës.

Agjencitë e udhëtimit në rritje

Në aktivitetin “Agjenci udhëtimi”, shifra e afarizmit në volum rritet 20,5 % në tremujorin e tretë 2015 krahasuar me tremujorin e tretë 2014.

Ndryshimi tremujor i indeksit të shifrës së afarizmit në volum paraqet rritje 26,6 % krahasuar me tremujorin paraardhës. Burimi /Monitor/