Dogana e Tiranës bllokoi sot 1920 parfume të markës “Hugo Boss” të falsifikuara. Këto produkte false, të sasisë 50 ml, kishin destinacion tregun shqiptar.
Pas pezullimit të mallit për qarkullim të lirë, Drejtoria për Mbrojtjen e Pronësisë Intelektuale në Drejtorinë e Përgjithshme të Doganës iu drejtua përfaqësuesit ligjor të mbajtësit të së drejtës së Kompanisë “HUGO BOSS” për t’u shprehur mbi origjinalitetin e produktit, të cilët konfirmuan se kjo sasi parfumesh është e falsifikuar.
Pas kryerjes së të gjithë procedurave konform ligjit, kjo sasi parfumesh do të shkatërrohet nga mbajtësi i së drejtës nën monitorimin e Degës Doganore Tiranë dhe Drejtorisë për Mbrojtjen e Pronësisë Intelektuale në Drejtorinë e Përgjithshme të Doganës.
Vlera e përafërt e mallit që do të shkatërrohet arrin në 96 mijë euro.





