*Nga lejet e ndërtimit, korrupsioni në kohë krize, bëhet edhe me kioskat e llamarinave
Një kioskë jo rrallë herë bëhet mollë sherri në Durrës. Por një kioskë në hyrje të portit të Durrësit është edhe më shumë konfliktuale. Të vendosësh një të tillë për agjenci biletash, kushton jo pak, por edhe 5 mijë Euro ryshfet. Një qytetar denoncoi në “DurrësLajm” një vendim të dhënë dy herë brenda një jave nga bashkia e Durrësit. Vendimi është tërësisht kontradiktor.
Lekë Frroku, me dokumente në duar deklaron se në datë 10 dhjetor kreu i bashkisë së Durrësit i ka firmosur lejen për vendosjen e kioskës jashtë rrethimit të portit, në hyrje të tij. Por në 16 dhjetor Inspektorati Ndërtimor ia ka zhvendosur kioskën pa asnjë vendim. Në datë 17 dhjetor ka dalë një vendim i dytë i cili e anulon të parin. Qytetari që pagoi taksat dhe kasën fiskale, deklaron se Inspektorati Ndërtimor është paguar jo pak, por 5 mijë Euro nga pronari i një kioske aty pranë.
Këtë e konfirmojnë edhe banorët, të cilët para pak muajsh ishin “pre” e aksionit të ndërtimorëve me prishje kioskash në hyrje të portit. Një banore thotë se Inspektorati i ndërtimit i prishi kioskën para shtëpisë së saj, por kioska u zëvendësua nga një tjetër, kundrejt ryshfetit.
K.H.