Me mbi 20 për qind të kredive të pakthyera në banka, Shqipëria renditet ne mesin e 25 vendeve me nivelin më të lartë të kredive me probleme në botë.

Në Raportin e Tranzicionit të Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) mësohet se, fenomeni i kredive të pakthyera është përqendruar kryesisht në Europë dhe sidomos në vendet në zhvillim.

Nga 25 shtetet problematike në botë me kthimin e huave, 16 prej tyre janë nga Europa dhe Rajoni i Ballkanit.

Por siç shpjegohet nga grafiku që ka dhënë BERZH, Shqipëria hyn në mesin e vendeve me nivel të lartë të NPL-ve. Gjithsesi problemi ka hyrë në një trajektore pozitive pasi, në 12 muajt e fundit, niveli i NPL-ve ka pësuar ulje me të paktën 3 pikë përqindjeje.

Kazakistani shihet të jetë shembulli më i mirë në reduktimin e NPL-ve pasi në 12 muajt e fundit, ka arritur të tkurrë kreditë me probleme nga më shumë se 30 % në 10 %. Ulje të NPL-ve gjatë këtij viti kanë shënuar edhe Maqedonia, Mali i Zi dhe Republika Sllovake.

Por për disa vende të tjera të rajonit, fenomeni i moskthimit të kredive ka vijuar të përkeqësohet. Huatë me probleme u rritën vitin e fundit me 5 pikë përqindjeje në Serbi duke shkuar në mbi 30 për qind nga 25 për qind që ishin. Rritja të madhe vjetore në mbi 6 për qind shënuan edhe huatë me probleme në Ukrainë . Ndërsa rritje deri në tre për qind pësuan huatë e këqija në Armeni, Rusi, Azerbagjan, Moldavi dhe Turqi.

Shqipëria aktualisht po zbaton një plan për uljen e NPL-ve që synon që në periudhë afatmesme të çojë treguesin në nivelin e 16%.

Sipas të dhënave të tjera krahasuese të Bankës Botërore, dy shtetet me nivelin më të lartë të kredive në problem në botë janë Qipro dhe San Marino, që e kanë këtë tregues mbi 40%. /Monitor