Nën kujdesin e veçantë të deputetes së PS-së Esmeralda Shkjau, në një prej hoteleve të Durrësit u zhvillua mbrëmja e “Bamirësisë së 100 donatorëve një fëmijë pret për ty”.
Një festë e gjitha kushtuar fëmijëve jetimë të shtëpisë së fëmijës në Durrës. Të ftuarit, personalitete të artit, njerëz të biznesit dhe politikës kontribuuan në vlerë monetare dhe dhurata, të cilat shkuan për shtëpinë e fëmijës në Durrës.
Një mesazh nga një nënë e re 17-vjeçare e ardhur nëpërmjet një inserti, çeli mbrëmjen gala. 17-vjeçarja e braktisi fëmijën e saj në shtëpinë e fëmijës, dhe tashmë për gjithë jetën ka ndërgjegjen e vrarë dhe pikëpyetjet se ku gjendet fëmija.
Zonja e parë Odeta Nishani, kreu i bashkisë Vangjush Dako dhe drejtoresha e shtëpisë së fëmijës Heroina Duka, kanë dhënë mesazhet e tyre nëpërmjet një video-mesazhi. Më pas, aktori Reshat Arbana, Artist i Popullit, i bëri thirrje ndërgjegjes njerëzore që të jenë humanë për fëmijët. Deputetja socialiste Esmeralda Shkjau falënderoi pjesëmarrësit duke nënvizuar se Shqipëria ka 25 vjet në tranzicion, por më i rëndë është tranzicioni shpirtëror. Mbrëmja e bamirësisë u moderua nga Floriana Garo.