Në prag të festave të fundvitit, pensionistët në Durrës e jo vetëm ata, e konsiderojnë veten të diskriminuar nga qeverisja aktuale. Dy javë nga ndërrimi i viteve, kërkesa për gjelin e detit, që është edhe simboli i tavolinës natën e ndërrimit të viteve, është shumë e ulët. Çmimi varion nga 700 në 800 lekë kg, i pandryshuar nga një vit më parë, por buxheti i familjeve ka ardhur duke u varfëruar. Qytetarët në Durrës dhe kryesisht pensionistët, shprehen se me pensionet dhe pagat e tyre, nuk kanë asnjë mundësi për të blerë gjelin e detit. Blerjet janë të pakta, me pikatore, dhe këtë shpend e blejnë vetëm ata të moshuar që kanë fëmijët jashtë, emigrantë.

“E bleva 30 mijë (lekë të vjetër) një pulë deti, ta hamë me fëmijët në Greqi për Vitin e Ri. Janë lekët e fëmijëve se me pension nuk ia dal dot”, shprehet një e moshuar.

“Edi Rama nuk na jep shpërblim që kur ka ardhur në qeveri. Me pension nuk blihen ilaçet. Nuk na del të blejmë as pula të ngordhura”, shprehet një tjetër pensionist.

Sipas tyre, është diskriminuese që me pensione qyteti 14 mijë lekë të mund të kalosh një muaj e të festosh edhe Vitin e Ri. “Marr 160 mijë lekë (të vjetër) pension në muaj, çfarë mund të bëj me kaq lekë? Ilaçet, dritat apo bukën?

“Nga 140 mijë që mora, më mbetën 50 mijë pasi pagova faturat dhe taksat. Me 40 mijë a mund të festoj dot ndonjë gjë nëna”, shprehet një tjetër e moshuar.

Tregtarët e mbërritur nga Peqini Rrogozhina etj., thonë se çmimet janë të arsyeshme, madje edhe të ulëta, për shkak të krizës që ka mbërthyer konsumatorët. “700 lekë kg maksimumi, çmimet janë të lira, por nuk ka fuqi blerëse. Njerëzit nuk kanë lekë”, thotë një tregtar. 

K.H.