Tregu i transportit ajror në Shqipëri është duke u rritur me shpejtësi. Drejtuesi ekzekutiv i shoqërisë sllovene ajrore e sheh Shqipërinë si një treg në zgjerim dhe si një destinacion të rëndësishëm të rrjetit të Adriatikut.
“Ne zotërojmë 5% të tregut të Tiranës dhe jemi kompania e tretë me më shumë trafik. Shqipëria është një treg në rritje edhe pse fokusi kryesor mbetet Italia. Megjithatë ne vëmë re se një rritje të fortë të trafikut mes Shqipërisë dhe Gjermanisë”, thotë CEO-ja i Adria Airways, Mark Anžur.
Sipas tij, kompania parashikon që të ofrojë tre fluturime ditore për një sërë destinacionesh.
“ Ne jemi duke shqyrtuar mundësinë e ofrimit të fluturimeve për dy rrugë të reja dhe ka shumë të ngjarë që njëra prej tyre të jetë Italia”, tha z.Anžur.
Sllovenia Adria Airways duke filluar nga marsi i vitit të ardhshëm do të ofrojë për udhëtarët fluturime direkte nga Tirana drejt Mynihut, duke e çuar numrin e destinacioneve në pesë.
Fluturimet do të jenë katër herë në javë ( E hënë, e mërkurë, e premte dhe e shtunë) dhe do të zëvendësojnë shërbimet që ofrohen aktualisht nga Lufthansa.
Për vitin 2016 kompania ka parashikuar reduktim të linjave ajrore, ndërsa Shqipëria ishte prej kohësh në planet e zgjerimit. Sipas CEO-s së Adria-s, Mark Anžur, kompania operon me 17 fluturime në javë për këtë sezon dimëror duke ofruar shërbime me destinacione si Lubjanë, Frankfurt, Bruksel dhe Paris.
Tirana parashikohet të kthehet në “stacionin” e katërt jashtë Lubjanës, duke plotësuar kështu Prishtinën, Lodzin dhe Talin.