Kompania GFI, e cila ka marrë me koncesion markimin e karburanteve, ka ndërprerë aktivitetin gjatë mëngjesit të sotëm, duke bllokuar aktivitetin e tregtuesve të naftës në Porto Romano. Lajmi bëhet i ditur për Monitor nga Shoqata e Shoqërive të Hidrokarbureve.
Në bazë të vendimit të Këshillit të Ministrave autoritetet doganore, para se të bëjnë arkëtimin e akcizës, kërkojnë që kompania importuese e karburanteve të paraqesë faturën e markimit të karburanteve, që jepet nga koncesionari. Konkretisht, Vendimi i KM nr. 498, datë 30.5.2013, “Për përcaktimin e procedurave të shënjimit të naftës bruto dhe nënprodukteve të naftës” pwrcakton qw “Shërbimi i shënjimit do të kërkohet nga subjektet e detyruara dhe do të realizohet nga koncesionari përpara kryerjes së pagesës së detyrimeve fiskale për produktet e shënjimit në zotërim të subjekteve të detyruara. Autoritetet doganore apo tatimore, sipas rastit, nuk do të pranojnë shlyerjen e detyrimeve fiskale nga subjektet e detyruara sipas këtij vendimi, përpara se këta të fundit të kenë kryer shërbimin e shënjimit mbi produktet e tyre”.
Kjo ka penguar daljen e autoboteve nga zona e lirë doganore.
Si rrjedhojë, autobotet kanë mbetur të pamarkuara në ambientet e Portit të Karburanteve në Porto Romano dhe në bazë të vendimit të Këshillit të Ministrave, nuk dalin dot të pamarkuara. Tregu nuk është furnizuar sot në të gjithë Shqipërinë dhe operatorët pohojnë se në rast se vazhdon kjo situatë, problemet në furnizimin në treg mund të fillojnë të ndihen që gjatë pasdites së sotme.
I kontaktuar nga Monitor, z.Vangjel Birbo, administrator i GFI, nuk dha koment. Ndërsa burime nga Ministria e Financave thanë se po presin një informacion zyrtar nga GFI.
Dy janë pikat e furnizimit me naftë në vend, në Porto Romano dhe në Vlorë (Petrolifera). Drejtori i Petrolifera, Anastas Goga, i kontaktuar nga Monitor pohoi se deri tani nuk kishin marrë ndonjë informacion nga GFI për ndërprerje aktiviteti, por ai shtoi se punonjësit e kësaj kompanie vijnë përgjithësisht pasdite në punë.