Pothuajse një vit pas vdekjes së Dr. Florit, vëllai i tij, Alban Kondi është martuar, ndërsa njësoj si në vargjet e këngës së Florit, për ta jeta shkon, në të mirë e të keq, duke gjetur forcën për të vazhduar përpara. Pikërisht për këtë, në studion e emisionit “Pasdite në Top Channel” ishte i ftuar babai i Dr.Florit, Muhamet Kondi, i cili rrëfeu për atë që kishin kaluar, por edhe për vendimin për të vazhduar përpara.
“Një vit para nuk ishim në gjendje të mendonim një dasëm. Po, sigurisht, që brenda plagës ekziston gonxhja e jetës, shpresa. Brenda fatkeqësisë lind në vetvete jeta, ekziston gëzimi, kë dikë që është në shtëpi që të sjell kënaqësi etj. Pastaj, vet rrjedha e jetës është e tillë që të ofron zgjidhjen e problemit, të ofron zgjidhjen e fatkeqësisë, të ofron njerëzit që të duhen, që të sillen rreth e rrotull, të takojnë, që janë të dashur”, u shpreh Muhamet Kondi.
Ai ka bërë dhe thirrje për ata që tentohen nga droga. “Në mjekësi është një postulat i madh që thotë: “Mos e provo!” dhe kjo i mbyll të tëra. Me drogën nuk ka shaka, nuk ka lojëra, nuk ka “do ta përdor pak”, jo “është e pastër, e papastër”. Për fat të keq është një sëmundje që ekziston në shoqërinë moderne dhe duhet shumë kujdes”.