“Majku i Hekurt”. Kjo ishte nofka që Mike Tyson mbante në ring por ai nuk ishte aspak i tillë edhe në jetën e përditshme. Në një intervistë dhënë për rrjetin televiziv, CNBC, ish kampioni i peshave të rënda zbulon disa anë të errëta të jetës së tij duke e pranuar se të gjitha fitimet e arkëtuara nga ringu i ka shpenzuar sa hap e mbyll sytë.
400 deri në 500 milionë Dollarë avulluan brenda pak kohësh, madje situata u bë edhe më e rëndë pasi ai e pa veten në borxhe. Shpenzimet për suvenirë të shtrenjë, koleksioni i makinave të fundit dhe divorci në vitin 2003 e detyruan ish boksierin të regjistronte një borxh prej rreth 23 milionë dollarësh.
“Isha totalisht jashtë kontrollit. Nuk dija si t’i shpenzpja paratë dhe nuk dija si të sillesha me njerëzit që menaxhonin paratë e mija. Kur kam shumë para bëhem një njeri i rrezikshëm.”
Pas largimit nga ringu, Tyson ka nisur një jetë të re në projektet mediatike për të reduktuar sa më shumë dëmet ekonomike.
“Kam më shumë fansa se sa kur isha boksier në karrierë dhe e dini pse e them këtë? Sepse një gjë të tillë ma tregon interneti. Vazhdoj të paguaj borxhet dhe besoj se jam në rrugë të mbarë për të rifituar sërish sigurinë time ekonomike”.
Llogaria e tij në Twitter ka rreth 5 milionë ndjekës, ndërsa famën më të madhe në ekranin e kinemasë e ka fituar falë paraqitjes në dy episodet e filmit “Hangover”. Në fund të intervistës, Tyson u shpreh se mbetet i hapur për të vazhduar bashkëpunimin me producentët, sigurisht nëse oferta do të jetë joshëse.





