8 dhjetori 2015 – Deputeti demokrat, Flamur Noka, u është përgjigjur akuzave të mazhorancës për dhunë dhe vandalizëm gjatë protestës së opozitës.
Në një postim në faqen e tij në fb, shkruan se protesta e opozitës ishte një leksion i kurajos qytetare.
Sipas Nokës, dy dhunuesit më të mëdhenj të institucioneve dje në opozitë, Rama e Tahiri, kishin fshehur kokën nga paniku deri pasdite vonë.
Noka: “Dy dhunuesit më të mëdhenj të institucioneve dje në opozitë, Rama e Tahiri dhe dhunuesit më të medhenj të shqiptarëve sot në pushtet, kanë bilbilosur nga kompjuteri. Nga kompjuteri bilbilosen pas protestës se kishin fshehur kokën nga paniku deri këtë pasdite të vonë. Protesta e opozitës ishte një leksion i kurajos qytetare. Qytetarët e bashkuar treguan sot se ekzistojnë se janë në këmbë dhe se qeveria më e korruptuar në Europë duhet të japë llogari. Vandalët janë ata që po ndajnë miliardat mes tyre dhe po zhvasin pasuritë publike. Ata janë vandalet e Shqipërisë drejt fundit të sigurtë”.
Edhe deputeti, Arben Ristani ka reaguar pas protestës së opozitës, duke e cilësuar miting madhështor. Ai shprehet se revolta popullore nuk do ndalet derisa ta mbyllë përfundimisht shpirtziun cinik Rama në bunkerin e tij.
Ristani: “Miting madhështor i opozitës.Një popull i tërë në këmbë për të hequr qafe peshën e rëndë të qeverisë antipopullore. Një popull i tërë në këmbë i frymëzuar nga Lulzim Basha dhe opozita që proteston kundër varferise, kundër korrupsionit, kundër krimit në pushtet, kunder cinikut, shpirtziut, të paaftit, të pashpirtit Rama.U fsheh biri i atit vrasës, derisa opozita mbylli mitingun, dhe nxori kokën të bënte ciu ciu nga kushedi cili bunker.Ta mësoje mirë shpirtziu cinik se revolta popullore nuk do ndalet derisa ta mbylle përfundimisht në bunkerin e tij”.
/portali DurresLajm/





