Krimi horror që tronditi opinionin publik paraditen e sotme, ku një grua në Kavajë u gjet e djegur në makinë, ndërsa bashkëshorti i saj i varur në pemë, ka lënë pa fjalë banorët e zonës, që i njihnin mirë çiftin e bashkëshortëve Bilbil dhe Fëllënca Shirja.

Ata shprehen mjaft të habitur nga lajmi që mësuan sot, pasi megjithëse ishin në dijeni të ndarjes së çiftit, nuk mendonin asnjëherë se kriza familjare do të përfundonte kështu.

Bashkëfshatarët e Manskurisë pranojnë se kur e kanë dëgjuar ngjarjen e rëndë janë çuditur, madje fillimisht u dukej e pabesueshme. Ata pohojnë se familja Shirja kishte reputacion të mirë në zonë, madje praktikonin edhe ritet fetare të besimit islam.

“Mirë veten e vet e mori në qafë, por mori në qafë dhe gocën e huaj”,- thotë një bashkëfshatar i çiftit Shirja.

“Besimtari iku, përderisa e bëri këtë punë. Nuk ka më keq… E dogji, nuk e vrau”,– thotë një tjetër banor i zonës, që dënon aktin e kryefamiljarit.

Sipas një tjetër banori të zonës, Bilbili ka shkuar e ka marrë me makinë Fëllënzën në shtëpinë e prindërve, më pas e ka lidhur brenda automjetit dhe i ka vënë zjarrin. Më pas është vetvarur.

Çifti ishin prindër të dy fëmijëve, një vajze të fejuar dhe një djali që frekuentonte shkollën e mesme.

Dyshohet se 48-vjeçari Bilbil Shirja ka qenë përdorues alkooli dhe ishte ndarë nga bashkëshortja e tij 45 vjeçe, Fëllënxa Shirja, prej dy muajsh.

Shkak i krimit tronditës mësohet se ka qenë xhelozia, pasi burri mendonte se 45-vjeçarja e tradhtonte.