Shkon në 28 numri i kontrollorëve që janë shoqëruar nga policia e Tiranës në lidhje me grevën e kontrollorëve të trafikut ajror që çoi në pezullimin e punës në aeroportin e Rinasit sipas KlanNews.
Kontrollorët janë shoqëruar për t’u marrë në pyetje janë pasi Prokuroria nisi hetimet pas kallëzimit që kompania AlbControl bëri ndaj organizatorëve të grevës.
“Prokuroria e Rrethit Gjyqësor, Tirane ka filluar hetimet për situatën e ndodhur ne aeroportin e Rinasit. Vepra penale për të cilën po hetohet lidhet me Shpërdorim detyre, parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal. Nga ana e oficereve të policisë gjyqësore, po kryhen veprimet e duhura hetimore për zbardhjen e rrethanave te ngjarjes së ndodhur. Po vijojnë veprimet hetimore në drejtim të evidentimit të rolit të secilit prej personave të përfshire në këtë ngjarje.”, thuhet në njoftimin zyrtar.
Sipas BalkanWeb, aktualisht në polici mbahen të shoqëruar 9 kontrollorë, ndërkohë që nuk dihet gjendja juridike e tyre. Mes personave të shoqëruar janë; Rei Katroshi, Armando Fezga, Flora Ndreca, Mohnir Mezini, Sokol Kosta, Elton Shabani si dhe dy persona të tjerë.
Prej mëngjesit të një dite më parë, në aeroportin e Rinasit nuk mund të realizohet asnjë fluturim, për shkak të grevës së kontrollorëve që akuzojnë se u është ulur paga dhe ndryshimeve në kushtet operacionale të punës.





