Komiteti Teknik i ekspertëve ka vendosur të mos ndryshojë masat shtrënguese për pandeminë COVID-19 në vend.

Zëvendësministrja e Shëndetësisë Mira Rakacolli deklaroi në mbledhje se ka një përmirësim të situatës por nuk jemi aty ku duhet. Ky përmirësim sipas saj tregon se masat kanë dhënë rezultat, por do të mbeten të njëjta deri në javën e ardhshme kur do të gjykohen sërish nga komiteti në varësi të situatës.

“Nga këto të dhanë të përgjithshme dhe nga një analizë që u bë në mbledhjen e komitetit dhe shkaqeve që kanë çuar në një përmirësim të lehtë të situatës, pavarësisht se kemi një rënie të pozitivitetit të testimit, ai nuk është në ato vlera, mendojmë që masat kanë qenë efikase dhe ky rezultat vjen edhe si bashkëpunim i mirë i një pjese të qytetarëve për ato masa për të cilat asnjëherë nuk jemi lodhur së thëni. Një nga arritjet më të mëdha të këtyre javëve ka qenë fushata e vaksinimit. Shqipëria në 10 ditëshin e fundit, ka zënë vendin e parë në rajon sa i përket ritmit të vaksinimit, duke ia kaluar jo vetëm Italisë dhe Greqisë, por edhe Serbisë që mbante vendin e parë.

Megjithatë këtyre arritjeve, situata nuk është aty ku duhet të jemi dhe mendohet që masat të vazhdojnë të mbeten në të njëjtin nivel. Nuk propozohet asnjë ndryshim masash. Do mbetet në fuqi ora policore”,- tha Rakacolli.