Vaksimi po ecën me shpejtësi pothuajse në të gjithë botën dhe po shihet si mjeti më i mirë për të kufizuar përhapjen e Covid-19 dhe për t’i dhënë pak frymëmarrje ekonomisë globale e turizmit.
Sipas të dhënave nga Worldindata, në botë, deri tani, më mirë ka ecur Izraeli, ku 60% e popullsisë ka marrë të paktën një vaksinë deri në fund të muajit mars, i ndjekur nga Mbretëria e Bashkuar (46%), Kili (36%), Bahrejni dhe SHBA me nga rreth 30% secili.
Mesatarja e Europës është rreth 13%, ndërsa ajo globale 4.4%. Në Europë vijon të kryesojë Mbretëria e Bashkuar, që e ka vaksinuar me një dozë pothuajse gjysmën e popullsisë.
Me ritme të shpejta ka ecur Hungaria, që ka kaluar e dyta në Europë, duke vaksinuar 22.3% të popullsisë të paktën me një dozë, deri në datën 1 prill. Pas Hungarisë vjen Serbia, që ka zbritur në vendin e tretë, me 21% të popullsisë,
Vendet e tjera të Europës kanë vaksinuar të paktën 13.4% të popullsisë (Austria) dhe më pas Danimarka, 11.6%. Nga shtetet fqinjë, Greqia ka arritur të vaksinojë të paktën me një dozë rreth 11% të popullsisë, ndërsa Italia gati 12%.
Për Shqipërinë, të dhënat e Worldindata nuk janë përditësuar që nga 24 shkurti. Por, pas përshpejtimit të procesit dhe mbërritjes së vaksinave kineze, Ministria e Shëndetësisë bëri të ditur se janë administruar gjithsej 170 mijë doza vaksina (pjesa më e madhe kanë marrë dorën e parë), ose rreth 5-6% e popullsisë, duke mbetur në listën e vendeve të Europës që kanë administruar më pak doza në raport me popullsisë. Gjithsesi, Shqipëria është më mirë se vendet e tjera të rajonit, si Kosova, apo Maqedonia, ndërsa nuk ka të dhëna për ecurinë e procesit në Bosnjë Hercegovinë.
Sa efektive po rezulton vaksina
Për shkak të kohës së shpejtë që u zhvilluan dhe administrimit me urgjencë të llojeve të ndryshme nga pjesa më e madhe e vendeve, efikasiteti i vaksinave është i vështirë për t’u matur në këto momente. Gjithsesi, vendet që kanë ecur më mirë me procesin, si Izraeli dhe Mbretëria e Bashkuar, kanë lehtësuar masat kufizuese pasi panë rënie të infektimeve dhe vdekjeve nga virusi.
Sipas mediave në SHBA, në provën në shkallë të gjerë, vaksina Pfizer-BioNTech u tregua se parandalonte 95% të simptomave të COVID-19, vetëm 1 pikë përqindje më shumë se Moderna. Të dy vaksinat duket se janë njësoj mbrojtëse në të gjitha grupmoshat dhe grupet racore dhe etnike.
Vaksina J&J u tregua se ishte 72% efektive në sëmundjen mesatare deri të rëndë dhe 85% efektive në parandalimin e sëmundjes më të rëndë.
Vaksina AstraZeneca-Oxford ishte 76% efektive në parandalimin simptomatik COVID-19 dy javë pas dozës së dytë dhe ishte 100% efektive në ndalimin e sëmundjes së rëndë dhe shtrimin në spital në një provë klinike me bazë në Sh.B.A, sipas kompanisë.
Më pak informacion ka për vaksinën kineze, e cila po përdoret masivisht në Shqipëri. Nga vendet që e kanë përdorur, Turqia ka raportuar për një efektivitet mbi 80%, ndërsa shtete të tjera si Kili e Brazili për një normë më të ulët pak mbi 50%. /Monitor