Bashkia e Durrësit po përgatitet për nisjen e sezonit turistik duke ndërmarrë një sërë masash për të patur një sezon më të mirë se viti i kaluar.
Kryebashkiakja e Durrësit, Emiriana Sako ka inspektuar punët që po kryhen në bregdetin e Durrësit për pastrimin, lirimin e sistemimin e hapësirave publike. Ajo deklaroi se pas këtyre punimeve të para do të kryhen edhe dezinfektimi dhe plugimi i rërës.
Përveç turizmit të rërës dhe detit, Durrësi synon një turizëm gjithëvjetor duke patur parasysh trashëgiminë e pasur kulturore të qytetit.
“Janë dy projekte mjaft të rëndësishme si ai për amfiteatrin dhe projekti tjetër është Programi i BE për trashëgiminë kulturore i cili ka në plan që 8 objekte nga qyteti i Durrësit do të rikonstruktohen, rivitalizohen si dhe do të futen në guidat ndërkombëtare.”, tha Sako.
Ashtu si vitin e kaluar, raporti plazh privat-plazh public do të jetë 80 përqind me 20 përqind në favor të subjekteve private.
Kryebashkiakja Sako deklaroi se duke patur parasysh vaksinimin masiv i cili ka nisur e po kështu edhe planin e qeverisë për të vaksinuar të gjithë punonjësit e hotelerive parashikohet që sezoni turistik i këtij viti të jetë i lehtësuar.





