Nga Mila Ballhysa

Pasojat e tërmetit janë ende të dukshme në qytetin e Durrësit, sidomos në pallatet me dëmtime DS4 dhe në shesh ndërtimet ku 16 muaj më parë ngriheshin pallatet e shembura për shkak të dëmeve të mëdha në strukturë.

Lajmi i mirë është që një ditë më parë kanë dalë VKM-të me vlerat përkatëse që do të përdoren për riparimin e 10 pallateve të parë DS4, për të cilat Instituti i Ndërtimit ka hartuar oponencat përkatëse, ndërkohë që në proces janë edhe 10 pallate të tjera.

Kryebashkiakja Emiriana Sako e pohon këtë fakt gjatë një interviste për “DurrësLajm”, ndërsa saktëson se procesi i riforcimit do të jetë kompleks dhe pritet të zgjasë 3-4 muaj për secilën godinë.

Sipas kryebashkiakes, përveç ndërhyrjeve në shkallë, ashensorë, muraturë etj, ndërhyrje do të bëhen edhe nëpër apartamente.

“Gjithë projektet që ne kemi ndërhyjnë në përforcimin dhe zmadhimin e kolonave, në muraturën e ashensorit dhe shkallëve. Ka shkallë që do të bëhen nga kati i parë deri në të fundit. Është një kantier i vështirë, sepse do të futemi edhe brenda apartamenteve të familjeve”,– thotë Sako.

Prej rreth një muaji, puna ka nisur në kantierin e Spitallës, ku po realizohet nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit ndërhyrja në infrastrukturë, që është faza e parë e projektit për ndërtimin e 80 godinave 4 katëshe, ku do të sistemohen 996 familje të mbetura të pastreha nga tërmeti.

Pas përfundimit të punimeve në infrastrukturën e zonës do të nisë puna nga investitori arab. Sipas kryebashkiakes, puna do të nisë njëkohësisht për të gjithë godinat e planifikuara për t’u ndërtuar, ndërkohë që në zonën e projektit është planifikuar gjithashtu ndërtimi i institucioneve arsimore, shëndetësore, njësive të shërbimit, terreneve sportive etj.  

Por ndërsa puna pritet të vijojë në kantierin e Spitallës dhe Manzës për ndërtimin e pallateve të reja, situata është ende e paqartë për pallatet e shembura brenda në qytet, ku rindërtimi ka nisur në vetëm dy prej tyre.

E pyetur nga “DurrësLajm”, kryebashkiakja Sako u përgjigj: “Ne presim që të fillojë puna sa më shpejt në qytet dhe sitin e Spitallës. Sheshet janë të përgatitura, pasi objektet ne i kemi shembur. Shumë shpejt presim që të fillojë puna”.

Në rindërtimin e Durrësit të pas tërmetit, një vëmendje të veçantë merr edhe projekti për rikuperimin e siteve arkeologjike dhe historike të dëmtuara, zbulimin e amfiteatrit etj.

Për këtë të fundit, kryebashkiakja nënvizon se po punohet paralelisht me dy projekte, njëri i AADF-së (Fondi Shqiptaro-Amerikan i Zhvillimit) që ka për synim rivitalizimin dhe kthyer në një zonë ekonomike gjithë qendrën historike të qytetit, ndërsa projekti tjetër është ai që lidhet me zonën nr.5 të qytetit, që përfshin gjithë zonën A të qytetit bregdetar.

Kryetarja e bashkisë thekson se rivitalizimi i amfiteatrit nënkupton shembjen e banesave të dëmtuara nga tërmeti dhe sistemimin e familjeve në një vend tjetër brenda qendrës së Durrësit si dhe shpronësime të godinave ekzistuese, për të cilat po përllogaritet efekti financiar.

“Deri më tani nuk mund të flasim për një shifër të saktë të shpronësimeve, sepse nuk kemi falë ende në konkluzione. Çdo fazë do të ketë miratimin përkatës, qoftë nga bashkia, qoftë nga Ministria e Kulturës. Të gjitha etapat do të bëhen duke informuar publikun”,- tha Sako.