Policia e Tiranës njoftoi se është gjetur trupi pa jetë i 32-vjeçarit Arjan Sala, zhdukur në magazinën e përfshirë nga zjarri të qendrës tregtare “Casa Italia “që ditën e mërkurë. Sala kishte mbetur pranë një dere të kyçur, pasi ishte asfiksuar në përpjekje për ta hapur atë.

Trupi i Shefit të Sigurisë u gjend rreth orës 3 pas mesnate nga zjarrfikësit, brenda në magazinën poshtë qendrës tregtare, aty ku kishte mbetur në përpjekje për të shuar zjarrin që përfshiu një hapësirë të madhe të mbushur me mallra dhe rrezikoi jetën e punonjësve. Ka qenë xhaxhai i viktimës që e ka identifikuar trupin pa jetë të nipit të tij.

“Tek “Casa Italia” si rezultat i kërkimeve intensive, të pandërprera, nga zjarrfikësit dhe shërbimet e Policisë, mëngjesin e sotëm zjarrfiksit bënë të mundur gjetjen e trupit të pajetë që dyshohet se i përket shtetasit Arjan Sala, 32 vjeç. Sala ishte me detyrë punonjës i shërbimit të sigurisë të një kompanie private”,- njofton policia.

Grupi hetimor po vijon punën për sqarimin e plotë e rrethanave të ngjarjes.