“Bashkia e Durrësit, Shijakut dhe Krujës bëjnë pjesë në toplistën e qyteteve ku ka elementë të riskut të madh elektoral”.
Deklarata vjen nga kreu i Institutit të Studimeve Politike, Afrim Krasniqi, një ditë para publikimit të hartës zgjedhore, ku klasifikohen bashkitë me potencialin më të madh për të regjistruar raste të financimit informal, militantë të përgatitur për të krijuar konfrontime ditën e votimit, përfshirje të elementëve kriminalë në procesin zgjedhor etj.
Në një intervistë për “DurrësLajm”, politologu i njohur thekson se këto rreziqe janë minimale në qendër të qytetit bregdetar, por situata ndryshon në zonat periferike dhe njësitë administrative.
Sipas tij, këto rreziqe lidhen me ndikimin e individëve të caktuar për të lobuar për kandidatë të preferuar për deputetë.
“Nëse është lobim është korrekt, nëse është konkurencë është korrekte, por nëse ka presione, shantazhe, blerje vote, trafikim vote, detyrim komisionerësh për të dhënë dorëheqjen, detyrim për të firmosur procesverbale të gabuara, deformim të votës, incidente që regjistrohen mes militantëve, incidente që lidhen me administrimin e procesit zgjedhor dhe sidomos periudhën paszgjedhore kur nis numërimi i votave dhe atë që quhet ankimimi apo kontestimi, të gjitha këto përbëjnë risqe zgjedhore dhe mund të jenë potenciale për t’u shoqëruar me pasoja”,- thotë Krasniqi.
Duke u ndalur tek kandidatët për deputetë të përfshirë në listat e partive politike në qarkun Durrës, kreu i ISP-së nënvizon se fakti që disa prej tyre janë të kontestuar nga opinioni publik, media dhe faktori ndërkombëtar, ndërsa procesi po monitorohet nga prokuroria, kjo mund të shërbejë si katalizator për tensione dhe agresivitet mes palëve.
Instituti i Studimeve Politike ka evidentuar në çdo legjislaturë parlamentare, deputetët më pak të zëshëm gjatë seancave plenare apo ata që asnjëherë nuk kanë folur në Kuvend. Sipas Krasniqit, deputetë të tillë nuk duhet të ishin pjesë e legjislaturave të tjera, sepse “në asnjë vend serioz individë të tillë nuk do të kishin karrierë politike”.
“Fakti që ata promovohen, fakti që bëjnë pjesë në lista të sigurta dhe konsiderohen si individët e preferuar të atyre që emërojnë kryetarët e partive lidhet me dy faktorë të tjerë; ndikimin e tyre zonal dhe financimet elektorale për të deformuar rezultatin zgjedhor”,– shton më tej ai.
Apelet e ndërkombëtarëve, sidomos ambasadores amerikane Yuri Kim, për pastrimin e listave, për moskandidimin e individëve të dëbuar nga vendet e BE-së, SHBA, Australi etj, nuk duket se kanë dhënë rezultatet e pritshme nga pjesa dërrmuese e shqiptarëve.
“Fatkeqësisht treguesit tregojnë se ata do të rizgjidhen sërish”,– thotë kreu i ISP-së.
Sipas Krasniqit, në legjislaturën e ardhshme parlamentare pritet të ketë deputetë që do të fitojnë mandatin më 25 prill dhe do të “digjen” nga dekriminalizimi.
M.B.





